Home arrow Ligjet e Botuara arrow Ligji Nr. 2004/32 PËR FAMILJEN
Nën 22 2006
Ligji Nr. 2004/32 PËR FAMILJEN
e mërkurë . 22 nëntor 2006
Indeksi
Ligji Nr. 2004/32 PËR FAMILJEN
FEJESA DHE MARTESA
TË DREJTAT DHE DETYRIMET E BASHKËSHORTËVE
MARRËDHËNIET PASURORE TË BASHKËSHORTËVE
SHUARJA E MARTESËS
MARRËDHËNIET NDËRMJET PRINDËRVE DHE FËMIJËVE
FORMAT E VEÇANTA TË MBROJTJES SË FËMIJËVE PA KUJDES PRINDËROR
KUJDESTARIA
MARRËDHËNIET PASURORE TË ANËTARËVE TË BASHKËSISË FAMILJARE
MBAJTJA FINANCIARE

Ligji Nr. 2004/32

 

 

LIGJI PËR FAMILJEN I KOSOVËS

 

PJESA E PARË

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

I. PARIMET

 

Neni 1. Fushëveprimi i rregullativës

Ky Ligj rregullon fejesën, martesën, marrëdhëniet ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, adoptimin (birësim), kujdestarinë, mbrojtjen e fëmijëve pa përkujdesje prindërore, marrëdhëniet pasurore në familje dhe procedurat e posaçme të gjykatës përkitazi me kontestet lidhur me marrëdhëniet familjare.

 

Neni 2. Familja

(1)  Familja është bashkësi vitale e prindërve dhe fëmijëve të tyre si dhe personave tjerë në  gjini.

(2)  Familja është bërthamë natyrore dhe themelore e shoqërisë dhe si e tillë gëzon të drejtën në mbrojtje.

 

Neni 3. Parimet mbi rregullimin e marrëdhënieve familjare

Rregullimi i marrëdhënieve familjare bazohet në parimet:

1.   Barazinë ndërmjet burrit dhe gruas, respektit dhe ndihmës së ndërsjellët ndërmjet tyre dhe anëtarëve të familjes;

2.   Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe përgjegjësia e të dy prindërve për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre, ku fëmijë  nënkupton  personin nën moshën 18 vjeçare;

3.   Prindërit dhe fëmijët detyrohen në ndihmë dhe konsideratë të ndërsjellët gjatë tërë jetës së tyre;

4.   Fëmijët e prindërve të cilët nuk kanë qenë të martuar në kohën e lindjes së tyre gëzojnë të drejtat e njëjta dhe kanë detyrime të njëjta sikurse fëmijët e lindur nga prindërit të cilët kanë qenë të martuar në kohën e lindjes së tyre.

 

Neni 4.

Të gjithë personat gëzojnë trajtim të barabartë të të drejtave dhe detyrimeve të parapara me këtë Ligj. Nuk do të ketë diskriminim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndaj asnjë personi apo personave në bazë të gjinisë, moshës, gjendje martesore, gjuhës, paaftësisë mendore apo fizike, orientimit seksual, përkatësisë apo bindjeve politike, prejardhjes etnike, kombësisë, religjionit apo besimit, racës, prejardhjes shoqërore, pasurisë, lindjes apo gjendjes tjetër.

      

II. MBROJTJA E TË DREJTAVE

 

Neni 5. Mbrojtja sociale

(1)  Fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe ata me çrregullime mentale ose fizike të diagnostifikuara, si dhe  prindërit të cilët nuk janë të aftë të krijojnë kushtet e domosdoshme jetësore për vete dhe për fëmijët e tyre, janë nën përkrahjen e veçantë financiare dhe shoqërore;

(2)  Bashkësia shoqërore përkujdeset për personat e moshuar në rastet kur ata nuk janë në gjendje të sigurojnë kushtet jetësore dhe kur nuk kanë persona tjerë në gjini të cilët sipas ligjit janë të detyruar të kujdesen për ta.

 

Neni 6. Mbrojta Institucionale e të drejtave

(1)  Punët  e mbrojtjes dhe të ndihmës familjare do t’i ushtron organi kompetent i administratës komunale i cili është kompetent për punët e mbrojtjes sociale.

(2)  Organi i Kujdestarisë është një organ komunal administrativ kompetent për çështje sociale. Ai përbëhet nga një grup i ekspertëve me përvojë profesionale në fushën e veçantë të përgjegjësisë.

(3)  Organi i Kujdestarisë mundet gjithashtu të jetë organ (grup i ekspertëve siç është cekur më lart) i veçantë i institucionit social i themeluar nga Kuvendi Komunal për të kryer detyrat e tilla.

(4)  Organi i Kujdestarisë pjesëmarrës në procedurë është i autorizuar të bëjë propozime për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të fëmijëve, të paraqes fakte të cilat nuk janë përfshirë, të propozojë administrimin e provave të domosdoshme, të ushtrojë mjetet juridike dhe të ndërmerr veprime tjera gjyqësore. Gjykata është e obliguar të ftojë në gjyq Organin e Kujdestarisë pjesëmarrës në procedurë në të gjitha seancat gjyqësore dhe t’i dorëzojë atij të gjitha vendimet.

 

Neni 7. Forma e mbrojtjes

(1)  Për realizimin e të drejtave nga marrëdhëniet familjare, nënës dhe fëmijës u sigurohet mbrojtje e posaçme me mjete të  mirëqenies sociale.

(2)  Fëmijëve pa kujdes prindëror u sigurohet mbrojtja e posaçme përmes formave të mbrojtjes siç janë kujdestaria, strehimi familjar, strehimi rezidencial dhe adoptimi.

 

Neni 8. Mbështetja

(1) Gjatë zbatimit të këtij Ligji, personat juridik dhe fizik të cilët ofrojnë ndihmë profesionale ose zgjidhin kontestet ndërmjet anëtarëve të familjes do të bashkëpunojnë reciprokisht.

(2) Në këtë Ligj, përveç rasteve kur konteksti e kërkon ndryshe:

(a) njëjësi përfshin shumësin dhe shumësi njëjësin dhe

(b) “ai” përfshin “ajo” dhe “atij” përfshin “asaj”.

       


Herën e fundit është azhuruar më : ( e hënë . 05 shkurt 2007 )
 
Para >