Home arrow Ligjet e Botuara arrow Ligji Nr. 02/L-28 PËR PROCEDURËN ADMINISTRATIVE
Jan 09 2007
Ligji Nr. 02/L-28 PËR PROCEDURËN ADMINISTRATIVE
e martë . 09 janar 2007

Ligji Nr. 02/L-28

 

PËR PROCEDURËN ADMINISTRATIVE

 

Kuvendi i Kosovës,

 

Në bazë të Kreut 9.1.26 (a) dhe 5.1 (i) të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/9), të datës 15 maj 2001, dhe me qëllim të rregullimit të procedimit administrativ si dhe ofrimit të shërbimeve sa më efektive të administratës publike, pa dallime për të gjithë qytetarët,

 

Miraton:

 

LIGJIN PËR PROCEDURËN ADMINISTRATIVE

 

PJESA I

PËRKUFIZIME DHE PARIME TË PËRGJITHSHME

KREU I

FUSHA E ZBATIMIT TË LIGJIT DHE PËRKUFIZIMET

 

Neni 1

Fusha e Zbatimit të Ligjit

 

1.1. Dispozitat e këtij Ligji zbatohen nga të gjitha organet e administratës publike gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre nëpërmjet akteve individuale dhe kolektive.

 

1.2. Dispozitat e këtij Ligji zbatohen edhe nga personat fizikë dhe juridikë të cilëve me ligj, akt nënligjor ose kontratë u është dhënë e drejta për të ushtruar detyra dhe kompetenca me rëndësi publike.

 

1.3. Parimet e përgjithshme të këtij Ligji janë të detyrueshme edhe për veprimtarinë e personave fizikë dhe juridikë në ato raste kur veprimtaria e tyre prek interesat publike.

 

1.4. Dispozitat e këtij Ligji nuk zbatohen në format e mëposhtme të veprimtarisë së organeve të administratës publike:

 

a)   akte administrative me karakter rregullativ;

b)   akte administrative që kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm të organeve të administratës publike;

c)   akte administrative që nxirren nga organet e administratës publike në kuadrin e transaksioneve private, në të cilat administrata publike është palë.

 

 

Neni 2

Përkufizime

 

Për qëllimet e këtij ligji, shprehjet e përdorura në vijim kanë këtë kuptim:

 

Akti administrativ individual - konsiderohen të gjitha vendimet e organeve të administratës publike, të cilat krijojnë pasoja juridike në raste individuale.

 

Akti administrativ kolektiv - konsiderohen të gjitha vendimet e organeve të administratës publike, të cilat krijojnë pasoja juridike për dy apo më shumë persona fizikë dhe juridikë.

 

Veprimtaria administrative - është tërësia e akteve individuale ose kolektive administrative të nxjerra nga organet e administratës publike gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre si dhe veprimet e kryera nga administrata për zbatimin e këtyre akteve.

 

Kompetenca administrative - është tërësia e kompetencave lëndore dhe territoriale e organit të administratës publike e paraparë me ligj apo me akt nënligjor.

 

Organet e administratës publike

 

1. Organet e administratës publike janë:

 

a. organet e administratës publike qendrore dhe organet tjera në vartësi të tyre;

b. organet e administratës publike lokale dhe organet e tjera në varësi të tyre.

 

2. Organet individuale të administratës publike janë autoritete publike me kompetenca ligjore që i ushtron një person.

 

3. Organet kolektive të administratës publike janë autoritete publike me kompetenca ligjore që i ushtrojnë dy ose më shumë persona.

 

Palë e interesuar - çdokush që ka interes të ligjshëm ka të drejtë të marrë pjesë në procedimin administrativ personalisht ose i përfaqësuar.

 

Pushtet diskrecial - i organit të administratës publike konsiderohet e drejta e këtij të fundit për të ushtruar autoritet publik për përmbushjen e një qëllimi të ligjshëm, qoftë edhe pa autorizim të shprehur të ligjit.

 

Revokimi dhe shfuqizimi - janë akte administrative, të cilat ndërpresin fuqinë juridike të akteve të tjera administrative.

 

Gjendje e jashtëzakonshme - nënkupton fatkeqësitë natyrore siç janë: vërshimet, tërmetet, thatësitë, zjarret, stuhitë dhe epidemitë.

 

KREU II

PARIME TË PËRGJITHSHME

 

Neni 3

Parimi i ligjshmërisë

 

3.1. Organet e administratës publike ushtrojnë veprimtarinë administrative në përputhje me legjislacionin në fuqi në Kosovë, brenda kufijve të kompetencave që u janë dhënë atyre dhe konform qëllimit për të cilat janë dhënë këto kompetenca.

 

3.2. Organet e administratës publike sigurojnë zbatimin e akteve administrative të tyre.

 

3.3. Aktet administrative të nxjerra në gjendje të jashtëzakonshme, në kundërshtim me dispozitat e këtij Ligji, do të jenë të vlefshme për aq sa rezultati i kërkuar në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme nuk mund të arrihet me mjete të tjera.

 

3.4. Personat fizikë dhe juridikë të dëmtuar nga aktet administrative, sipas paragrafit 3 të këtij neni, kanë të drejtën e kompensimit në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë përgjegjësinë e administratës publike.

 

 

Neni 4

Parimi i balancimit të interesave publike dhe private

 

Organet e administratës publike, në ushtrim të veprimtarisë administrative, duhet të vendosin një balancim të drejtë mes interesave publike dhe interesave private të përfshira në të, në mënyrë që të evitohen ndërhyrjet e panevojshme në të drejtat dhe interesat e personave fizikë dhe juridikë.

 

Neni 5

Parimi i barazisë përpara ligjit

 

5.1. Organet e administratës publike trajtojnë në mënyrë të njëllojtë të gjitha çështjet në shqyrtim para tyre për aq sa këto çështje janë objektivisht të njëjta. Dallime në trajtimin e çështjeve lejohen vetëm në masën që ato përputhen me ndryshimet objektive mes çështjeve.

 

5.2. Organet e administratës publike nuk bëjnë dallimet lidhur me personat fizikë dhe juridikë si: gjini, racë, ngjyrë, gjuhë, opinion politik ose opinion tjetër, origjinë kombëtare ose sociale, pasuri, lindje ose ndonjë status tjetër, gjatë veprimtarisë administrative.

 

Neni 6

Parimi i proporcionalitetit

 

6.1. Gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre ligjore në zbatim të interesit publik, organet e administratës publike do të përdorin mjetet që janë në proporcion me qëllimet që synohen të arrihen.

 

6.2. Të drejtat e njohura ligjërisht, liritë ose interesat e personave fizikë dhe juridikë, mund të kufizohen në pajtim me ligjin dhe në masën që është e domosdoshme për të realizuar një interes publik të rëndësishëm.

 

6.3. Në çdo rast organet e administratës publike do të vlerësojnë nëse qëllimi i kërkuar mund të realizohet me masa sa më pak represive pa komprometuar efektivitetin e tyre.

 

 

Neni 7

Parimi i objektivitetit dhe i paanshmërisë

 

7.1. Gjatë veprimtarisë administrative, organet e administratës publike marrin në konsideratë dhe u japin peshën që u takon të gjithë faktorëve që lidhen me një akt të caktuar administrativ.

 

7.2. Organet e administratës publike sigurojnë se veprimtaria e tyre nuk është e influencuar nga interesa private ose personale ose paragjykime të nëpunësve që e ushtrojnë këtë veprimtari.

 

 

Neni 8

Parimi i qëndrueshmërisë dhe i parashikueshmërisë

 

Organet e administratës publike do të jenë të qëndrueshme në veprimtarinë e tyre administrative me qëllim të respektimit të pritjeve legjitime të personave fizikë dhe juridikë.

 

 

Neni 9

Parimi i Publicitetit

 

9.1. Organet e administratës publike ushtrojnë veprimtarinë administrative në mënyrë transparente dhe në bashkëpunim të ngushtë me personat fizikë dhe juridikë të përfshirë në të.

 

9.2. Çdo person fizik dhe juridik, pa qenë e nevojshme të tregojë interes specifik, në raportet me organet e administratës publike, ka të drejtat procedurale që vijojnë:

 

a)   të marrë informacion që është në zotërim të një organi të administratës publike,

b)   brenda një kohe të arsyeshme,

c)   në të njëjtën mënyrë si për çdo person tjetër,

d)   me mjete të përshtatshme dhe efektive.

 

9.3. Përjashtimisht nga paragrafi 2, informacionet mund të kufizohen vetëm për qëllime të mbrojtjes së interesave legjitime publike, të jetës ose të interesave të tjera legjitime private, të përcaktuara me Ligje përkatëse.

 

9.4. Për refuzimin e qasjes në informacion, organi i administratës publike merr vendim me shkrim, i cili vendim duhet të përmbajë arsyet e vendimit dhe udhëzimet për ankesë.

 

 

Neni 10

Parimi i subsidiaritetit

 

Kur një pjesë ose tërë aspektet e veprimtarisë administrative të rregulluara me këtë Ligj, i nënshtrohen një rregullimi me legjislacion të veçantë, do të zbatohet rregullimi i veçantë i legjislacionit të veçantë.

 

 

PJESA II

KOMPETENCA ADMINISTRATIVE

 

KREU I

RREGULLA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 11

Detyrimi për vendimmarrje

 

Organet e administratës publike, brenda kompetencave të tyre, detyrohen të vendosin për çdo kërkesë të dorëzuar nga personat fizikë dhe juridikë.

 

 

Neni 12

Konstatimi i kompetencës

 

12.1. Pas dorëzimit të kërkesës nga personat fizikë dhe juridikë, organi i administratës publike konstaton nëse ka apo jo kompetencë lëndore dhe territoriale për të vendosur për çështjen në fjalë.

 

12.2. Palët e interesuara në procedimin administrativ mund të kundërshtojnë kompetencën e organit të administratës publike për një çështje të caktuar sipas procedurës së paraparë në nenin 28 të këtij Ligji.

 

12.3. Çdo ndryshim faktik ose ligjor, që mund të ndodhë pas dorëzimit të kërkesës, nuk e ndryshon kompetencën e organit të administratës publike mbi kërkesën në pritje të vendimit.

 

 

Neni 13

Kompetenca lëndore

 

13.1. Kompetenca lëndore për të vendosur në procedurën administrative caktohet sipas dispozitave me të cilat rregullohet fusha e caktuar administrative ose caktohet si kompetencë e organeve të caktuara.

 

13.2. Për të vendosur çështjet administrative në shkallë të parë kompetenca lëndore u përket organeve komunale të administratës, në qoftë se vendosja e këtyre çështjeve nuk u është kaluar me ligj njësive tjera territoriale brenda territorit të Kosovës, apo në qoftë se me ligj nuk është caktuar kompetenca e organeve tjera.

 

 

Neni 14

Kompetenca territoriale

 

14.1. Kompetenca territoriale caktohet:

 

a.   në çështjet që kanë të bëjnë me pasurinë e paluajtshme në vendin ku ndodhet ajo,

b.   për çështjet që kanë të bëjnë me veprimtarinë e një organizate afariste ose afarizmi individual, vendi i selisë së tyre,

c.   për çështjet e tjera vendbanimi i palës ose selia e personit juridik.

 

14.2. Në qoftë se kompetenca territoriale nuk mund të përcaktohet sipas paragrafit 1 pikat a, b, c të këtij neni, ajo caktohet sipas vendit ku ka ndodhur ngjarja.

 

 

Neni 15

Dispozitat tjera

 

15.1. Në qoftë se sipas dispozitave të neneve paraprake do të ishin dy ose më tepër organe, kompetent është organi që ka filluar së pari procedimin.

 

15.2. Kompetenca lëndore dhe territoriale nuk mund të ndryshohet me marrëveshjen e palëve ose marrëveshjen e organit dhe palës, përveç nëse kjo parashihet ndryshe me ligj.

 

Neni 16

Ndalimi i heqjes dorë nga kompetenca

 

16.1. Kompetencat e organeve të administratës publike caktohen me ligj ose me akt nënligjor dhe ushtrimi i tyre është i detyrueshëm.

 

16.2. Çdo akt administrativ ose veprim tjetër, që ka për qëllim heqjen dorë të organit administrativ nga e drejta për të ushtruar kompetencat ligjore, është i pavlefshëm.

 

16.3. Dispozitat nga paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni nuk përjashtojnë të drejtën e organeve të administratës publike për të deleguar kompetencat e tyre ligjore në favor të organeve të tjera të administratës sipas procedurave të parashikuara në Kreun II të këtij Ligji.

 

 

Neni 17

Çështje paraprake, që zgjidhen nga organe të tjera

 

17.1. Në rast kur vendimi përfundimtar në procedim administrativ kushtëzohet nga marrja e një vendimi paraprak, i cili, nga ana e tij, është në kompetencë të një organi tjetër të administratës publike ose të gjykatës, organi që është kompetent për marrjen e vendimit përfundimtar pezullon procedimin administrativ derisa organi tjetër ose gjykata të marrin vendimin paraprak.

 

17.2. Përjashtime nga rregulli i parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni lejohen vetëm në ato raste kur mos marrja e menjëhershme e vendimit do t’u shkaktonte një dëm të rëndë e të pariparueshëm të drejtave themelore kushtetuese të personave fizikë dhe juridikë ose interesit ligjor publik.

 

17.3. Pezullimi i procedimit administrativ, i parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni, përfundon automatikisht në rastet e mëposhtme:

 

a)   Kur marrja e vendimit paraprak varet prej bërjes së një kërkese nga palët e interesuara në procedimin administrativ dhe ato nuk e bëjnë një gjë të tillë brenda afateve të parashikuara nga ligji;

 

b)   Kur në mungesë të një afati ligjor, procedimi administrativ për zgjidhjen e çështjes paraprake nuk fillon brenda 30 ditësh nga dita kur merret vendimi për pezullimin e procedimit administrativ, që shpie në marrjen e vendimit përfundimtar, për shkak të mosparaqitjes së kërkesës përkatëse nga palët e interesuara.

 

17.4. Në qoftë se organi i administratës publike, që është kompetent për marrjen e vendimit përfundimtar, nuk pret marrjen e vendimit paraprak nga organi tjetër ose gjykata, por vendos vetë për çështjen paraprake, vendimi në fjalë është i vlefshëm vetëm për procedimin administrativ në zhvillim e sipër.

 

 

Neni 18

Dorëzimi i gabuar i kërkesës te një organ që nuk ka kompetencë

 

18.1. Në ato raste kur personat fizikë dhe juridikë, gabimisht, dorëzojnë kërkesat e tyre te një organ i administratës publike, që nuk ka kompetencë mbi çështjen që është objekt i kërkesës, për trajtimin e kërkesës do të ndiqet procedura e mëposhtme:

 

a)  organi i administratës publike, të cilit gabimisht i drejtohet kërkesa, brenda 2 ditësh pune nga dorëzimi i kërkesës, merr vendim me anë të të cilit konstaton jo kompetencën nga ana e tij për çështjen;

 

b)  në qoftë se organi kompetent të cilit duhet t’i kishte shkuar kërkesa i përket të njëjtës ministri, agjenci, institucion apo strukturë, kërkesa e dorëzuar gabimisht i dërgohet organit kompetent, e shoqëruar me një letër përcjellëse nga organi që e ka marrë gabimisht atë, të nesërmen e deklarimit të jo kompetencës. Personi fizik dhe juridik, që ka bërë dorëzimin e gabuar, njoftohet sipas procedurës së parashikuar në Seksionin VI, të pjesës V të këtij Ligji;

 

c)   në qoftë se organi kompetent të cilit duhet t’i kishte shkuar kërkesa, i përket një ministrie, agjencie, institucioni apo strukture tjetër, kërkesa e dorëzuar gabimisht i kthehet personit fizik dhe juridik që e ka dorëzuar 2 ditë pune pas ditës kur është bërë dorëzimi, e shoqëruar me një letër përcjellëse zyrtare, në të cilën përfshihet deklarimi i jo kompetencës, si dhe informacione në lidhje me organin kompetent të cilit duhet t’i drejtohet personi fizik dhe juridik.

 

18.2. Në rastin e parashikuar nga paragrafi 1, pika (c) e këtij neni, caktohet një afat i ri për përfundimin e procedimit administrativ. Afati i ri është i njëjtë me të parin dhe fillon të llogaritet që nga momenti kur është njoftuar personi fizik dhe juridik që ka dorëzuar kërkesën.

 

18.3. Vendimi i organit të administratës publike me anë të të cilit deklarohet jo kompetenca, mund të apelohet nga personat fizikë dhe juridikë  sipas procedurave të parashikuara në nenin 28 të këtij Ligji.

 

 

KREU II

DELEGIMI I KOMPETENCAVE DHE ZËVENDËSIMI

 

Neni 19

Delegimi i kompetencave

 

19.1. Organet kompetente të administratës publike mund t’i delegojnë kompetencat e tyre ligjore në favor të organeve të tjera të administratës publike.

 

19.2. Organet kompetente të administratës publike mund t’i delegojnë kompetencat e tyre ligjore në favor të organeve në varësi të tyre ose në favor të organeve të tjera.

 

19.3. Instrumenti ligjor përmes të cilit bëhet delegimi i kompetencave është vendim i organit delegues në ato raste kur organi i deleguar është në varësi të organit të parë dhe Memorandum mirëkuptimi në ato raste kur organi i deleguar nuk është në varësi të organit delegues.

 

19.4. Organet kolektive të administratës publike nuk mund t’i delegojnë kompetencat në favor të drejtuesve të tyre.

 

 

Neni 20

Ndalimi i nën delegimit të kompetencave

 

20.1. Organi i deleguar nuk mund të nën delegojë te një organ i tretë kompetencat e përfituara përmes delegimit.

 

20.2. Çdo vendim i organit delegues, që ka për qëllim autorizimin e organit të deleguar për të nën deleguar kompetencat e deleguara, është i pavlefshëm.

 

 

Neni 21

Kriteret për delegimin

 

21.1. Në çdo rast që bëhet delegimi i kompetencave, organi delegues përcakton kompetencat konkrete që delegohen si dhe procedurën që duhet ndjekur për ekzekutimin e tyre nga organi i deleguar.

 

21.2. Instrumenti ligjor përmes të cilit bëhet delegimi i kompetencave botohet në ,,Gazetën Zyrtare’’.

 

21.3. Organi i deleguar fillon zbatimin e kompetencave të deleguara në ditën e punës menjëherë pas botimit të instrumentit në ,,Gazetën Zyrtare’’.

 

 

Neni 22

Përmendja e organit delegues

 

Në zbatim të kompetencave të deleguara, organi i deleguar është i detyruar të përmendë emrin e organit delegues, që ka kompetencën origjinale.

 

 

Neni 23

Kompetencat e organit delegues

 

23.1. Organi delegues mund të nxjerrë udhëzime, të cilat janë të detyrueshme për organin e deleguar në lidhje me zbatimin e kompetencave të deleguara.

 

23.2. Organi delegues mund t’i tërheqë kompetencat e deleguara si dhe të revokojë çdo akt apo veprim administrativ të ndërmarrë nga organi i deleguar në kundërshtim me dispozitat që rregullojnë vlefshmërinë e aktit administrativ, të parashikuara në Seksionin I të Kreut I të Pjesës V të këtij Ligji, si dhe me udhëzimet e organit delegues.

 

 

Neni 24

Përfundimi i delegimit

 

Delegimi i kompetencave përfundon në rastet e mëposhtme:

 

a)   me revokimin nga organi delegues të instrumentit të delegimit;

b)   me përfundimin e detyrave të parashikuara në aktin e delegimit;

c)   me shuarjen e organit delegues ose atij të deleguar.

 

 

Neni 25

Zëvendësimi

 

25.1. Në rastet e mungesës ose paaftësisë për të ushtruar detyrat për shkak të pamundësisë së përkohshme fizike apo konfliktit të interesave, që prekin organet individuale të administratës publike ose çdo nëpunës tjetër publik, detyrat e këtij të fundit ushtrohen nga organi ose nëpunësi zëvendësues i parashikuar në ligj. 

 

25.2. Në qoftë se ligji nuk shprehet për një zëvendësues, atëherë zëvendësimi bëhet nga nëpunësi më i lartë i organit të administratës publike, që në hierarkinë e organit vjen menjëherë pas organit individual ose nëpunësit të zëvendësuar.

 

25.3. Në qoftë se në organin e administratës publike ka më shumë se një nëpunës me të njëjtën shkallë hierarkike, zëvendësimi do të bëhet nga nëpunësi i zgjedhur prej nëpunësit që zëvendësohet ose nëpunësi më i vjetër në moshë.

 

25.4. Organi apo nëpunësi zëvendësues ushtron edhe ato kompetenca që organi ose nëpunësi i zëvendësuar i ka marrë me delegim.

 

 

KREU III

ZGJIDHJA E KONFLIKTEVE TË KOMPETENCAVE

 

Neni 26

Konflikti mbi kompetencën territoriale

 

Në rastet kur ekziston dyshimi lidhur me kompetencën territoriale, organi që zgjidh konfliktin duhet t’i njohë kompetencën atij organi të administratës publike, vendndodhja e të cilit lejon më tepër qasje në procedurën administrative.

 

 

Neni 27

Zgjidhja e konflikteve të kompetencave

 

27.1 Konfliktet e kompetencave do të zgjidhen nga:

 

a)   gjykata kompetente për konfliktet e lindura mes organeve të ndryshme të administratës publike;

b)   nga Kryeministri për ministritë e ndryshme;

c)   nga ministri ose udhëheqësi i institucionit qendror për institucionet në varësi të tyre.

 

27.2. Zgjidhja e konflikteve të kompetencave sipas paragrafit 1 nuk do të cenojë kompetencat e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për Çështje të Kornizës Kushtetuese, sipas paragrafëve 9.4.11 (b) dhe 9.4 .11 (c) të Kornizës Kushtetuese.

 

Neni 28

Kundërshtimi i kompetencës të organit të administratës publike

 

28.1. Palët e interesuara për procedurën administrative mund të kundërshtojnë kompetencën e organit të administratës publike gjatë vazhdimit të procedimit.

 

28.2. Kërkesa për kundërshtimin e kompetencës duhet të paraqitet me shkrim tek organi, kompetenca e të cilit kundërshtohet në çdo fazë të procedimit administrativ.

 

28.3. Organi i administratës publike, kompetenca e të cilit kundërshtohet nga palët në procedim, duhet të kalojë çështjen për vendim përfundimtar tek organi kompetent i administratës publike parashikuar në nenin 27.

 

28.4. Afati i parashikuar nga ligji për përfundimin e procedimit administrativ në shqyrtim duhet të pezullohet derisa të merret një vendim për pretendimet e palëve të interesuara.

 

28.5. Organet e administratës publike mund të deklarojnë zgjidhjen e konfliktit për kompetencë mes tyre, në çdo moment.

 

28.6. Organi kompetent për zgjidhjen e konfliktit dëgjon organet në konflikt dhe merr një vendim brenda afatit prej 30 ditësh.

 

28.7. Dispozitat e këtij neni nuk do të cenojnë kompetencat e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për Çështje të Kornizës Kushtetuese, sipas paragrafëve 9.4.11 (b) dhe 9.4.11 (c) të Kornizës Kushtetuese..

 

PJESA III

PROCEDURA PËR GARANTIMIN E PAANSHMËRISË

TË ADMINISTRATËS PUBLIKE

 

Neni 29

Pengesat ligjore

 

Nëpunësit publikë të organeve të administratës publike nuk mund të marrin pjesë në proces administrativ vendimmarrës në rastet kur:

 

a)   nëpunësi publik ka një interes personal të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen në shqyrtim;

 

b)   bashkëshorti i tij ose partneri bashkëjetues ose të afërm të tij deri në shkallën e dytë kanë një interes të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen në shqyrtim;

 

c)   nëpunësi publik ose personat e përcaktuar në pikën (b) të këtij neni kanë një interes të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë në një çështje të ngjashme me çështjen në shqyrtim;

 

d)   nëpunësi publik ka marrë pjesë si ekspert, përfaqësues ose avokat privat në çështjen në shqyrtim;

 

e)   personat e përcaktuar në pikën (b) të këtij neni kanë marrë pjesë si ekspertë, përfaqësues ose avokat privatë në çështjen në shqyrtim;

 

f)    ndaj nëpunësit publik ose personave të përcaktuar në pikën (b) të këtij neni ka nisur një proces gjyqësor nga palët e interesuara në procedimin administrativ në shqyrtim;

 

g)   çështja në shqyrtim është një ankim kundër një vendimi të marrë nga nëpunësi publik ose nga personat e përcaktuar në pikën (b) të këtij neni;

 

h)   nëpunësi publik ose personat e përcaktuar në pikën (b) të këtij neni janë debitorë ose kreditorë të palëve të interesuara në procedimin administrativ në shqyrtim;

 

i)    nëpunësi publik ose personat e përcaktuar në pikën (b) të këtij neni kanë marrë dhurata nga palët e interesuara përpara ose pas fillimit të procedurës administrative në shqyrtim;

 

j)    nëpunësi publik ose personat e përcaktuar në pikën (b) të këtij neni kanë miqësi ose armiqësi me palët e interesuara në procedurën administrative në shqyrtim.

           

 

Neni 30

Deklarimi i pengesave ligjore

 

30.1. Nëse një nëpunës publik i organeve të administratës publike vëren një nga pengesat e parashikuara në nenin 29, ai duhet të njoftojë me shkrim menjëherë udhëheqësin e tij ose drejtorin e organit kolektiv të administratës publike.

 

30.2. Udhëheqësi ose drejtori i organit kolektiv, i cili ka marrë deklaratën lidhur me pengesën ligjore, duhet të njoftojë me shkrim palët e interesuara në procedimin administrativ lidhur me deklarimin e pengesave nga nëpunësi.

 

30.3. Në vijim të deklarimit vetjak të pengesës dhe derisa udhëheqësi ose drejtori i organit kolektiv të nxjerrë një vendim përfundimtar, nëpunësi pezullohet nga procesi vendim-marrës.

 

Neni 31

Kërkesa e palëve të interesuara për përjashtim të nëpunësit publik për shkak të ekzistencës së pengesave ligjore

 

31.1. Palët e interesuara në procedimin administrativ mund të kërkojnë përjashtimin e një nëpunësi nëse ai ka ose mendohet të ketë interesa të lidhura me ndalimet e parashikuara në nenin 29 të këtij Ligji.

 

31.2. Kërkesa e palës së interesuar për përjashtimin e një nëpunësi të organeve të administratës publike duhet të bëhet me shkrim dhe duhet t’i drejtohet udhëheqësit të nëpunësit ose drejtorit të organit kolektiv.

 

31.3. Palët e interesuara mund t’ia paraqesin gjithashtu kërkesën e tyre për përjashtim të nëpunësit vetë nëpunësit për të cilin pretendohet pengesa ligjore dhe ky i fundit duhet t’ia kalojë këtë kërkesë udhëheqësit të tij ditën tjetër të punës.

 

31.4. Kërkesa e palëve të interesuara për përjashtimin e një nëpunësi duhet të përcaktojë saktësisht llojin e pengesës ligjore dhe të paraqesë të gjitha provat e mundshme në të cilat mbështetet kërkesa.

 

31.5. Në vijim të kërkesës së palës së interesuar për përjashtimin e nëpunësit dhe derisa udhëheqësi ose drejtori i organit kolektiv të ketë nxjerrë një vendim përfundimtar, nëpunësi pezullohet nga procesi vendimmarrës.

 

31.6. Në rastet kur kërkesa për përjashtim të nëpunësit bëhet nga palët e interesuara në procedimin administrativ, nëpunësi i prekur nga kjo kërkesë ka të drejtë të mbrohet.

 

 

Neni 32

Marrja e vendimit në lidhje me përjashtimin

 

32.1. Në vijim të vetë deklarimit të nëpunësit ose të kërkesës së palëve të interesuara për përjashtimin e një nëpunësi, udhëheqësi ose drejtori, në rastet e organeve kolektive të administratës publike, merr vendim për përjashtimin ose konfirmimin e nëpunësit në procesin vendimmarrës.

 

32.2. Vendimi për përjashtimin ose konfirmimin e nëpunësit merret brenda një afati prej 5 ditë pune nga dita në të cilën palët e interesuara kanë paraqitur kërkesën e përjashtimit ose nëpunësi ka deklaruar pengesën.

 

32.3. Në rastet kur pengesat e parashikuara në nenin 29 kanë të bëjnë me drejtorin e organit kolektiv të administratës publike, vendimi për përjashtimin ose konfirmimin e tij nga procesi vendimmarrës do të merret nga mbledhja plenare e organit kolektiv, pa praninë e drejtorit.

 

Neni 33

Efektet e përjashtimit

 

33.1. Nëse udhëheqësi i nëpunësit publik për të cilin pretendohet përjashtimi ose drejtori i organit kolektiv vendos përjashtimin e nëpunësit nga vendimmarrja, nëpunësi në fjalë do të zëvendësohet nga zëvendësi i tij ligjor në përputhje me nenin 25 të këtij Ligji, me përjashtim kur udhëheqësi merr çështjen në shqyrtim nën autoritetin e tij.

 

33.2. Kur pengesa ka të bëjë me anëtarin e organit kolektiv të administratës publike, organi do të funksionojë si i tillë pa pjesëmarrjen e anëtarit të përjashtuar.

 

33.3. Pavarësisht nga përjashtimi i nëpunësit të organit të administratës publike në rastet dhe sipas procedurës së parashikuar në nenet 29 deri 34 të këtij Ligji, nëpunësi i përjashtuar do të vazhdojë të ushtrojë kompetencat e veta në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme, ashtu siç përcaktohet kjo e fundit me Ligj.

 

33.4. Të gjitha aktet administrative të nxjerra dhe veprimet e tjera të kryera nga nëpunësi publik, të cilat janë prekur nga ndonjë prej pengesave të parashikuara në nenin 29 të këtij Ligji, janë të pavlefshme.

 

 

Neni 34

Masat disiplinore

 

Mos deklarimi nga nëpunësi publik me kohë për ekzistimin e pengesave ligjore, sipas nenit 29 të këtij Ligji, paraqet shkelje të rëndë të dispozitave ligjore.

 

 

PJESA IV

PROCEDIMI ADMINISTRATIV

 

KREU I

FILLIMI DHE PJESËMARRJA NË PROCEDIMIN ADMINISTRATIV

 

Neni 35

Pjesëmarrja në procedimin administrativ

 

35.1. Të gjithë personat e interesuar kanë të drejtë të fillojnë një procedim administrativ ose të marrin pjesë në të personalisht ose të përfaqësuar.

 

35.2. Aftësia për të filluar një procedim administrativ ose për të marrë pjesë në të, si dhe rregullat që bëjnë të mundur përfaqësimin përcaktohen në përputhje me dispozitat e së drejtës civile mbi aftësinë juridike të personave fizikë dhe juridikë.

 

35.3. Në mënyrë që të mbrohen interesat publike, të cilat mund të preken nga një procedim administrativ, e drejta për të filluar një procedim administrativ ose për të marrë pjesë në të, u njihet edhe subjekteve të mëposhtme:

 

a)   personave të cilëve procedimi administrativ iu shkakton një dëm në të drejtat e tyre të përbashkëta të tilla si: shëndeti publik, arsimimi, trashëgimia kulturore, ambienti dhe cilësia e jetës;

 

b)   personave të cilët jetojnë në brendësi ose në afërsi të një prone publike, e cila mund të dëmtohet nga procedimi administrativ;

 

c)   Ombudspersonit (Avokatit të popullit).

 

35.4. Shoqatat dhe organizatat e tjera të cilat veprojnë në mbrojtje të interesave publike kanë gjithashtu të drejtë të fillojnë një procedim administrativ ose të marrin pjesë në të.

 

 

Neni 36

Fillimi i procedimit administrativ

 

Procedimi administrativ mund të fillohet nga organi i administratës publike, me kërkesën e një pale të interesuar ose me kërkesën e publikut.

 

 

Neni 37

Fillimi i procedimit administrativ nga organi i administratës publike

 

37.1. Në ato raste kur procedimi administrativ fillohet nga organi i administratës publike, ky i fundit iu dërgon palëve të interesuara në procedimin administrativ, në qoftë se ato janë të identifikueshme, një lajmërim për fillimin e veprimeve nga ana e organit.

 

37.2. Lajmërimi për fillimin e veprimeve bëhet me shkrim, nënshkruhet nga drejtuesi i organit të administratës publike dhe përmban informacionin e mëposhtëm:

 

a)   emrat dhe adresat postare të të gjithë personave të interesuar të cilëve iu dërgohet lajmërimi;

b)   emrin dhe adresën postare të organit të administratës publike që ka filluar procedimin si dhe emrin e nëpunësit përgjegjës të administratës publike;

c)   emrin e procedimit në qoftë se ka të tillë;

d)   afatin kohor, që fillon që nga data e nisjes së lajmërimit për fillimin e veprimeve, brenda të cilit palët e interesuara mund të bëjnë ndonjë ndërhyrje me shkrim;

e)   në qoftë se ligji kërkon zhvillimin e një seance dëgjimore, një njoftim për kohën dhe vendin se ku do të zhvillohet seanca dëgjimore, një njoftim për qëllimin për të cilin zhvillohet seanca dëgjimore si dhe një kujtesë se pala që nuk merr pjesë në seancën dëgjimore mund të konsiderohet me faj;

f)    në qoftë se ligji e lejon zhvillimin e një seance dëgjimore, një informacion që t’i kujtojë palët se ato mund të kërkojnë zhvillimin e seancës dëgjimore brenda afateve kohore të parashikuara nga ligji ose rregullat e brendshme të organit procedues;

g)   informacion në lidhje me autoritetin ligjor të organit procedues për të zhvilluar procedimin në fjalë;

h)   informacion në lidhje me qëllimin e procedimit dhe, për aq sa është e mundur, çështjet në lidhje me të cilat duhen marrë vendime.

 

37.3. Organi i administratës publike nuk komunikon me palët e interesuara në përputhje me kërkesat e paragrafit 2 të këtij neni në ato raste kur çështja e trajtuar nga organi është sekrete ose konfidenciale sipas klasifikimeve që iu bëhen këtyre koncepteve me ligj, ose kur në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, komunikimi mund të cenojë efikasitetin e procedimit administrativ.

 

Neni 38

Fillimi i procedimit administrativ nga pala e interesuar

 

38.1. Në ato raste kur ligji lejon fillimin e procedimit administrativ nga pala e interesuar, kërkesa e palës të interesuar për fillimin e veprimeve nga administrata bëhet me shkrim, nënshkruhet dhe datohet nga personi që kërkon veprimin e administratës, ose nga përfaqësuesi ligjor i palës së interesuar, dhe përfshin informacionin e mëposhtëm:

 

a)   emërtimin e organit të administratës publike, veprimi i të cilit kërkohet;

b)   datën në të cilën kërkesa për veprim nga ana e administratës publike është postuar;

c)   një indikacion në lidhje me kompetencat e organit administrativ, në kuadrin e të cilave kërkohet veprimi i organit;

d)   veprimin konkret që kërkohet nga organi i administratës publike dhe

e)   numërimin e fakteve dhe të shkaqeve që qëndrojnë në themel të kërkesës për veprim nga organi administrativ.

 

38.2. Pala e interesuar, e cila kërkon veprimin e organit të administratës publike, ia dorëzon kërkesën përkatëse organit kompetent si dhe ua dërgon një kopje të kërkesës të gjithë personave të cilët dihet se kanë një interes direkt ose indirekt për veprimin e kërkuar të administratës.

 

38.3. Organet e administratës publike mund të nxjerrin formularë me anë të të cilëve të marrin nga personat e interesuar që kërkojnë veprimin e administratës informacionin e kërkuar nga paragrafi 1 i këtij neni;

 

38.4. Drejtuesi i organit të administratës publike shqyrton menjëherë kërkesat për veprim drejtuar organit nga pala e interesuar dhe kryen veprimet e mëposhtme:

 

a)   njofton palën kërkuese me shkrim se kërkesa është pranuar dhe se procedimi administrativ ka filluar ose

b)   njofton palën kërkuese me shkrim se kërkesa nuk është pranuar dhe se pala mund të ankohet kundër këtij vendimi sipas procedurës të parashikuar në nenin 101 të këtij Ligji, ose;

 

c)   njofton palën kërkuese se janë të nevojshme veprime të mëtejshme administrative përpara se organi t’i përgjigjet kërkesës. Në këtë rast organi cakton edhe një afat të arsyeshëm për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.

 

 

Neni 39

Pasaktësitë në kërkesën e palës së interesuar për fillimin e procedimit administrativ

 

39.1. Në qoftë se kërkesa e palës së interesuar për fillimin e procedimit administrativ nuk është përgatitur në përputhje me kërkesat e nenit 38 të këtij Ligji, personit fizik dhe juridik që kërkon veprimin e organit administrativ, i kërkohet me shkrim korrigjimi i pasaktësive të kërkesës.

 

39.2. Pavarësisht nga përmbajtja e paragrafit 1 të këtij neni dhe për aq sa është e mundur, organet e administratës publike duhet t’i korrigjojnë vetë kërkesat e palëve të interesuara, duke mos i dëmtuar interesat ligjore të palëve të interesuara.

 

 

Neni 40

Mënyra e dorëzimit të kërkesës nga pala e interesuar për fillimin e një procedimi administrativ

 

40.1. Kërkesa e palës së interesuar për fillimin e një procedimi administrativ dorëzohet drejtpërdrejtë në zyrat e organit kompetent të administratës publike.

 

40.2. Kërkesa e palës së interesuar, që i drejtohet organit qendror të administratës publike, mund të dorëzohet edhe në organe komunale, në qoftë se ka të tilla.

 

40.3. Organet komunale të administratës publike e dërgojnë kërkesën e personit të interesuar për fillimin e një procedimi administrativ në zyrat e organit qendror me postë të regjistruar (rekomande) brenda 2 ditëve të punës nga dita e dorëzimit.

 

Neni 41

Dorëzimi i kërkesave për fillimin e procedimit administrativ në zyrat e përfaqësive diplomatike ose ato konsullore

 

41.1. Kërkesa e personit të interesuar për fillimin e një procedimi administrativ mund të dorëzohet edhe në zyrat  e caktuara jashtë Kosovës, për këtë qëllim, në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me Kornizën Kushtetuese, të vendosura në ato vende ku palët e interesuara banojnë në mënyrë ligjore ose gjenden përkohësisht.

 

41.2. Zyrat e përmendura si në paragrafin 41.1, i nisin kërkesat e personave të interesuar për fillimin e procedimit administrativ në adresë të organeve kompetente të administratës publike me postë zyrtare brenda 2 ditëve të punës nga dita e marrjes.

 

 

Neni 42

Dërgimi i kërkesës për fillimin e procedimit administrativ me postë

 

42.1. Kërkesa e personit të interesuar për fillimin e një procedimi administrativ mund të dërgohet me postë të regjistruar (rekomande) dhe në formë elektronike.

 

42.2. Komunikimi i dokumenteve elektronike është i lejueshëm, përderisa pranuesi i dokumentit e lejon qasjen elektronike.

 

42.3. Një dokument i shkruar zyrtar mund të lëshohet ose pranohet në mënyrë elektronike, përveç nëse ligji këtë nuk e lejon. Në këtë rast dokumenti duhet të përmbajë nënshkrimin elektronik i cili rregullohet me akt të veçantë.

 

42.4. Dokumentet elektronike që lëshohen në pajtim me paragrafin 2 dhe 3 mund të zëvendësojnë dokumentin e shkruar.

 

42.5. Dokumentet që në rrugën elektronike i dërgohen organit publik duhet t’i përmbushin kërkesat ligjore të përcaktuara me dispozitat për dorëzimin e dokumenteve një organi publik. Nëse dokumenti i dërguar në formë elektronike nuk i përmbush këto kërkesa, organi publik e njofton parashtruesin e kërkesës për mangësitë formale ose përmbajtjesore.

 

 

Neni 43

Regjistrimi i kërkesës për fillimin e procedimit administrativ

 

43.1. Pavarësisht nga mënyra e dorëzimit të kërkesave të personave të interesuar për fillimin e një procedimi administrativ, organi që merr kërkesat i regjistron ato në një regjistër të posaçëm në pajtim me dispozitat pozitive.

 

43.2. Regjistri i kërkesave për fillimin e procedimit administrativ përmban informacionin e mëposhtëm:

 

a)   numrin e kërkesës;

b)   datën e dorëzimit;

c)   objektin e kërkesës;

d)   numrin dhe emërtimin e dokumenteve që i bashkëngjiten kërkesës, dhe

e)   emrin e kërkuesit.

 

43.3. Kërkesat e personave të interesuar për fillimin e një procedimi administrativ regjistrohen sipas radhës së dorëzimit. Ato kërkesa që vijnë në të njëjtën dërgesë postare konsiderohen si të dorëzuara në të njëjtën kohë.

Neni 44

Vërtetimi i dorëzimit të kërkesës për fillimin e procedimit administrativ

 

44.1. Organi i administratës publike, të cilit i drejtohet kërkesa për fillimin e procedimit administrativ, u jep një dëshmi personave të interesuar që paraqesin kërkesën me anën e së cilës vërteton dorëzimin dhe marrjen e kërkesës.

 

44.2. Dëshmia tregon faktin e marrjes së kërkesës nga nëpunësi përgjegjës i organit të administratës publike si dhe listën e dokumenteve që i bashkëngjiten kërkesës.

 

 

Neni 45

Dokumente të tjera të shkruara të paraqitura nga personat e interesuar

 

Dispozitat për fillimin e procedimit administrativ zbatohen edhe për shpjegimet, kërkesat për rishqyrtim, përgjigjet dhe çdo dokument tjetër shkresor, të paraqitur nga personat e interesuar gjatë procesit administrativ.

 

 

Neni 46

Verifikimi paraprak i disa çështjeve përpara fillimit të procedimit administrativ

 

Përveç verifikimit të kompetencës, e cila bëhet nga organi i administratës publike sipas procedurës të parashikuar në nenin 12 të këtij Ligji, menjëherë pas mbërritjes së kërkesës së palës së interesuar për fillimin e procedimit administrativ, organi administrativ bën gjithashtu edhe verifikimet e mëposhtme:

 

a)   nëse të drejtat apo interesat e kërkuara nga personat e interesuar janë parashkruar ;

b)   legjitimimi i personit fizik dhe juridik që ka dorëzuar kërkesën për fillimin e procedimit administrativ;

c)   nëse afatet e parashikuara nga ligji për dorëzimin e kërkesës janë respektuar;

d)   nëse kërkesa e një personi fizik dhe juridik për fillimin e procedimit administrativ mund të shqyrtohet së bashku me kërkesat e personave të tjerë fizikë dhe juridikë  sipas procedurës të parashikuar në nenin 49 të këtij Ligji.

 

 

Neni 47

Fillimi i procedimit administrativ me iniciativën e publikut

 

47.1. Në ato raste kur vërtetohen kushtet e parashikuara në paragrafët 3 dhe 4 të nenit 35 të këtij Ligji, procedimi administrativ mund të fillohet nga publiku ose Ombudspersoni.

 

47.2. Në ato raste kur procedimin administrativ e fillon publiku ose Ombudspersoni, organi i administratës publike merr të gjitha masat që i quan të nevojshme për përgatitjen e çështjes, duke përfshirë edhe probleme që nuk përfshihen në kërkesën e dorëzuar në qoftë se gjykon se kjo është në interesin e publikut.

 

 

Neni 48

Kërkesa verbale për fillimin e procedimit administrativ

 

Përjashtimisht, kërkesa për fillimin e procedimit administrativ mund të bëhet edhe në mënyrë verbale. Nëpunësi civil detyrohet me shënim zyrtar të krijojë lëndën që përfshinë të dhënat e mëposhtme:

 

a)   emrin e organit të administratës publike, veprimi i të cilit kërkohet;

b)   emrin e kërkuesit;

c)   datën e bërjes së kërkesës;

d)   veprimin konkret që kërkohet nga organi i administratës publike.

 

 

Neni 49

Shqyrtimi i përnjëhershëm i disa kërkesave për fillimin e procedimit administrativ

 

49.1. Kërkesa të ndryshme të të njëjtit person të interesuar për fillimin e procedimit administrativ mund të shqyrtohen së bashku nga organi kompetent i administratës publike brenda një procedimi administrativ në qoftë se kërkesat bazohen në të njëjtat fakte dhe bazë ligjore.

 

49.2. Kërkesa të ngjashme të dorëzuara nga persona të ndryshëm mund të shqyrtohen njëkohësisht në qoftë se ato bazohen në të njëjtat fakte dhe bazë ligjore.

 

49.3. Vendimi i organit kompetent të administratës publike për të shqyrtuar njëkohësisht disa kërkesa mund të kundërshtohet nga palët në procedimin administrativ.

 

Neni 50

Plotësimi i kërkesës për fillimin e procedimit administrativ

 

50.1. Pas fillimit të procedimit administrativ dhe deri në nxjerrjen e aktit përkatës administrativ, personat e interesuar mund të plotësojnë ose ndryshojnë kërkesën e tyre fillestare, edhe në qoftë se një modifikim i tillë bëhet shkas për ndryshimin e bazës ligjore, në bazë të së cilës shqyrtohet kërkesa, me kusht që kërkesa e plotësuar të bazohet në të njëjtat fakte si dhe kërkesa e parë.

 

50.2. Refuzimi i organit kompetent të administratës publike për të pranuar plotësimin e kërkesës mund të apelohet nga pala e interesuar.

 

 

Neni 51

Tërheqja e kërkesës për fillimin e procedimit administrativ

 

51.1. Me anë të një deklarate me shkrim, palët e interesuara mund të tërhiqen nga procedimi administrativ në tërësi ose pjesërisht, si dhe të heqin dorë nga të drejtat dhe interesat e tyre ligjore, me përjashtim të rasteve kur ligji e ndalon një gjë të tillë.

 

51.2. Pas tërheqjes së personit të interesuar, organi kompetent i administratës publike merr vendim për përfundimin e procedimit administrativ. Pala kundërshtare në procedimin administrativ njoftohet nga organi për përfundimin e procedimit.

 

51.3. Vendimi i organit kompetent të administratës publike për përfundimin e procedimit administrativ, pas tërheqjes së njërës nga palët e interesuara, mund të kundërshtohet nga çdo palë tjetër e interesuar.