Home arrow Ligjet e Botuara arrow Ligji Nr. 2004/34 KUNDËR KORRUPSIONIT
Mar 29 2007
Ligji Nr. 2004/34 KUNDËR KORRUPSIONIT
e enjte . 29 mars 2007

Ligji Nr. 2004/34

 

KUNDËR KORRUPSIONIT

 

Kuvendi i Kosovës,

 

Në mbështetje të autoritetit të dhënë Institucioneve të Vetëqeverisjes së Përkohshme nga Rregullorja e UNMIK-ut Nr. 2001/9 e datës 15 Maj 2001, “Për Kornizën Kushtetuese të Vetëqeverisjes”, në veçanti Kreu 5.1 (m),  5.2 (b),  9.1.1.,  9.1.26  dhe 11.2 dhe,

 

Në pajtim me Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2003/25 të 6 korrikut 2003 “Për dispozitat e Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës” që parasheh disa vepra penale të korrupsionit,

 

Për qëllime të mbrojtjes së rendit ligjor, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, qeverisjes së mirë, ndershmërisë dhe drejtësisë sociale, konkurrencës, rritjes ekonomike, besimit të përgjithshëm tek institucionet publike dhe vlerat morale të shoqërisë.

 

Miraton:

LIGJIN KUNDËR  KORRUPSIONIT

 

KREU 1

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

 

Neni 1

 

Ky ligj parasheh masat kundër korrupsionit brenda fushës së veprimit të strategjisë kundër korrupsionit, veçanërisht në fushën e hetimeve administrative të korrupsionit publik, eliminimin e shkaqeve të të korrupsionit, papajtueshmërinë mes mbajtjes së posteve publike dhe kryerjes së aktiviteteve fitimprurëse për personat zyrtar, kufizimet në lidhje me pranimin e dhuratave të lidhura me kryerjen e punëve në detyrë, mbikëqyrjen e pasurive të tyre si dhe të personave në lidhje të afërt me ta dhe kufizimet në lidhje me subjektet kontraktuese që marrin pjesë në tenderët publikë duke kryer biznes me firmat ku personi zyrtari ose një person në marrëdhënie të afërt me të është i përfshirë.

 

 

Neni 2

 

Për qëllime të këtij ligji, shprehjet në tekst janë të definuara si më poshtë:

 

Korrupsion - nënkupton çdo shkelje të detyrës së personave zyrtarë ose përgjegjës në subjektet juridike dhe çdo veprimtari e iniciatorëve apo përfituesve të kësaj sjelljeje, e drejtuar si përgjigje ndaj një shpërblimi që drejtpërdrejt ose indirekt është premtuar, ofruar, dhënë, kërkuar, pranuar apo është pritur për t’u marrë për veten apo për një person tjetër.

Person zyrtar - nënkupton personin në kuptim të nenit 107 paragrafi 1 të Kodit të  përkohshëm Penal të Kosovës.

 

Person përgjegjës në entitet juridik - nënkupton personin në kuptim të nenit 107 paragrafi 2 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

 

Personi zyrtar i lartë - nënkupton Presidentin e Kosovës, Kryeministrin, Kryetarin dhe deputetët e Kuvendit, ministrat, sekretarët e qeverisë, sekretarët permanentë, drejtorët e zyrave brenda ministrive gjyqtarët dhe prokurorët si dhe zyrtarët e lartë ndërkombëtarë në kuptim të këtij Ligji.

 

Marrëdhënie e afërt - nënkupton marrëdhënien mes dy personave: të cilët janë në vijë të gjakut në vijë të drejtë gjerë në pakufi, në vijë të tërthortë deri në shkallën e katërt dhe në gjini të krushqisë deri në shkallën e dytë.

 

Vepër serioze e korrupsionit - nënkupton një vepër korruptive ashtu siç përkufizohet nga Kodi Penal i Kosovës, e cila përfshin vlerat mbi 10.000 EURO ose pjesëmarrjen e një zyrtari të lartë publik.

 

Përparësi personale - nënkupton arritjen e ndonjë përftimi material ose jo material në formën e së drejtës apo përparësisë që nuk i takon këtij personi si dhe dhënia e kësaj përparësie një pale tjetër.

 

           

Neni 3

 

3.1. Askush nuk mund të shpërdorojë me postin apo detyrën e tij duke kryer apo duke mos kryer një veprim që sipas ligjit nuk duhet ose duhet ta kryejë, as të asistojë zbatimin e një veprimi juridik për interesin e tij personal apo interesin e një pale tjetër.

 

3.2. Personi zyrtari nga i cili eprori i tij kërkon që gjatë kryerjes së shërbimit të tij të veprojë në mënyrë të paligjshme, të pandershme dhe jo lojale ndaj autoritetit publik, apo që t’i japë një privilegj një personi fizik apo juridik, duhet të informojë eprorin e tij drejtpërdrejt me shkrim, nëse eprori drejtpërdrejt pas kundërshtimit me gojë përsëri këmbëngul në kërkesat e përmendura më lart.

 

3.3. Vetëm pas deklaratës me shkrim personi zyrtar lirohet nga detyrimi për të kryer në mënyrë të paligjshme këtë aktivitet zyrtar dhe nuk mund të konsiderohet përgjegjës për të, por është i detyruar të informojë autoritetet kompetente publike dhe Agjensionin Kosovar kundër-korrupsionit.

 

 

Neni 4

 

4.1. Çdokush ka të drejtën e qasjes së barabartë në kryerjen e aktiviteteve me interes publik dhe trajtim të barabartë nga ana e personave zyrtarë, pa u bërë viktimë e korrupsionit. 

 

4.2. Personi zyrtarë është i detyruar të kryejë funksionin e tij me ndërgjegje, me profesionalizëm, pa diskriminim apo privilegje për vetën apo për ndonjë person tjetër, si dhe me respektin e duhur për liritë dhe të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor.

 

4.3. Çdokush ka të drejtën e paraqitjes së lirë në treg dhe të konkurrencës së lirë, pa u frikësuar se mund të bëhet viktimë e sjelljeve monopoliste apo diskriminuese, të cilat rezultojnë nga korrupsioni.

 

 

Neni 5

 

5.1. Kur një person fizik apo juridik beson që vendimi i një personi zyrtar apo i personit përgjegjës të personit juridik është marrë për shkak të korrupsionit, ai duhet t’i drejtohet me shkrim Agjensionit Kosovar kundër korrupsionit.

 

5.2. Agjensioni Kosovar kundër korrupsionit është i detyruar të shqyrtojë kërkesën dhe brenda 60 ditëve nga marrja e saj të informojë personin fizik apo juridik për rezultatin lidhur me kërkesën.

 

 

Neni 6

 

6.1. Ushtrimi i funksioneve apo detyrave publike bëhet në mënyrë transparente dhe i përgjigjet kontrollit të publikut.

 

6.2. Askush nuk mund të përdorë një ligj apo një rregullore tjetër që kufizon ose përjashton transparencën ose publicitetin me qëllim mbulimin e keqpërdorimit të një funksioni apo detyre për përparësi personale.

 

 

Neni 7

 

7.1. Punët Juridike që rezultojnë nga korrupsioni janë të pavlefshme. Personi që ka një interes të ligjshëm mund të kërkojë revokimin e tyre.

 

7.2. Personi i dëmtuar nga një akt korruptiv ka të drejtë të kërkoj kompensim për dëmin e shkaktuar.         

 

 

KREU 2

 

AGJENSIONI KOSOVAR I ANTIKORRUPSIONIT

           

Neni 8

 

8.1. Me qëllim të ushtrimit të përgjegjësive të përcaktuara me këtë Ligj do të themelohet Agjensioni Kosovar kundër korrupsionit si organ i pavarur (në tekstin e mëtejmë: Agjensioni).

 

8.2. Fondet për funksionimin e Agjensionit sigurohen nga Buxheti i Konsoliduar i  Kosovës në bazë të propozimit të Agjensionit. Agjensioni vendosë për mënyrën e përdorimit të fondeve.

 

 

Neni 9

 

9.1. Aktivitetet e Agjensionit do të udhëhiqen nga një drejtor, i cili ka vendbanim të përhershëm në Kosovës.

 

9.2. Drejtori duhet të jetë mbi moshën 35 vjeç, të kenë arsimin universitar dhe duhet të konsiderohet i përshtatshëm për kryerjen e funksioneve në Agjension.

 

9.3. Drejtori emërohet në detyrë për një mandat 5 vjeçar dhe mund të riemërohet vetëm një herë.

 

9.4. Funksioni i Drejtorit të Agjensionit është i papërputhshëm me ndonjë pozitë në Qeveri, Kuvend, organet lokale, partitë politike apo sindikatat e punëtorëve, apo kryerjen e ndonjë pune në ndonjë organizatë publike vendore, ndërkombëtare apo autoritet lokal.

 

9.5. Agjensioni angazhon numrin e nevojshëm të personelit tjetër.

 

9.6. Agjensioni mund të angazhojë ekspertë të jashtëm.

           

           

Neni 10

 

10.1. Këshilli do të iniciojë procedurën për zgjedhjen e drejtorit të ri të Agjensionit përmes një shpalljeje publike 6 muaj para mbarimit të mandatit të tij.

 

10.2. Këshilli e inicion procedurën e përmendur më lart nëpërmjet një shpallje publike me propozimin për zënien e vendit të drejtorit. Propozimet duhet të dorëzohen brenda 30 ditëve nga bërja e ftesës.

 

10.3. Këshilli i rekomandon Kuvendit të Kosovës dy kandidatë për postin e drejtorit. Kuvendi i Kosovës emëron njërin nga kandidatët e propozuar.

 

10.4. Nëse procedura për zgjedhjen e kandidatëve apo emërimin e tyre nuk ka sukses, procedura duhet të përsëritet derisa të emërohet drejtori.

           

           

Neni 11

 

Drejtori i Agjensionit mund të shkarkohet para kohe:

 

a.   nëse e kërkon këtë,

 

b.   nëse është burgosur për vepra kriminale,

 

c.   nëse nuk pushon së ushtruari detyrën apo funksionet që janë në papajtueshmëri me pozitën e  drejtorit, 

 

d.   me humbjen e përhershme apo të përkohshme të aftësisë për të kryer punët e tij, 

 

e.   nëse shkel ligjet pozitive gjatë ushtrimit të detyrave të tij.

 

 

Neni 12

 

Drejtori i Agjensionit përfaqëson, drejton dhe organizon punët e Agjensionit dhe në pajtim me ligjin ushtron të gjitha detyrat e tjera dhe përgjegjësitë e udhëheqësit të një organi.

           

 

Neni 13

 

Në bazë të propozimit të Agjensionit, Këshilli aprovon rregullat procedurale që definojnë në detaje të mëtejshme Agjensionin dhe metodën e saj të punës.  Rregullat procedurale do të botohen në Gazetën Zyrtare.

           

 

Neni 14

 

Agjensioni mund të iniciojë hetime administrative të cilat kanë të bëjnë me masat disiplinore kundër shërbyesve civil.

           

Neni 15

 

Organet publike, autoritetet lokale dhe personat zyrtar janë të detyruar t’i ofrojnë Agjensionit me kërkesën e saj informacionin e duhur për kryerjen e punëve të tyre si dhe të lejojnë inspektimin e dokumentacionit relevant.

 

 

Neni 16

 

16.1. Personat zyrtar i raportojnë Agjensionit rastet e korrupsionit për të cilat vijnë në dijeni. Të gjitha këto raste Agjensioni ia përcjellë Prokurorisë publike të Kosovës (PPK) për shqyrtim.

 

16.2. Çdo person që ka zbuluar informacion që tregon në mirëbesim për ekzistencën e korrupsionit nuk do të ketë ndonjë pasojë të dëmshme.

 

 

 

 

Neni 17

 

Personat që parandalojnë, zbulojnë apo hetojnë korrupsionin gëzojnë pavarësi të plotë për qëllime të ushtrimit me efektivitet të kompetencave dhe përmbushjes së detyrimeve të tyre dhe nuk mund t’ju imponohet presion i padrejtë për shkak të punës së tyre apo kur ndërmarrin veprime të caktuara konkrete në pajtim me këtë ligj.

 

Neni 18

 

Agjensioni paraqet raportin njëvjeçar të aprovuar nga Këshilli, i cili duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.     

           

Neni 19

 

19.1.Këshilli i Agjensionit themelohet për ushtrimin e mbikëqyrjes së drejtpërdrejtë të Agjensionit.

 

19.2. Këshilli i Agjensionit përbëhet nga 9 (nëntë) anëtarë, 3 (tre) emërohen nga Kuvendi dhe nga 1 (një) përfaqësues të emëruar nga Zyra e Presidentit, Qeveria, Gjykata Supreme, Zyra e Prokurorit Publik, autoritetet lokale dhe shoqëria civile.

 

19.3. Anëtarët e Agjensionit kanë të drejtën e shpërblimit për shpenzimet që rezultojnë nga puna e tyre në Këshillin e Agjensionit.

 

19.4. Anëtarët e Këshillit të Agjensionit kanë një mandat prej dy vjetësh në detyrë dhe mund të riemërohen. Dy muaj para mbarimit të mandatit, institucionet e përmendura në paragrafin 2 të këtij neni kryejnë procedurat e nevojshme dhe do të emërojnë anëtarët e rinj të Këshillit.

 

Neni 20

 

Këshilli i Agjensionit ka një kryesues dhe zëvendëskryesuesin të zgjedhur nga anëtarët e Këshillit të Agjensionit midis tyre për një periudhë prej dy vjetësh si dhe rregullat procedurale që rregullojnë detajet e punës të Këshillit të Agjensionit.

           

 

Neni 21

 

21.1. Këshilli i Agjensionit kontrollon në mënyrë të rregullt dhe të plotë punën e Agjensionit dhe mbikëqyrë pasuritë e personave zyrtarë që punojnë në Agjension. Drejtori i Agjensionit raporton tek Këshilli i Agjensionit çdo gjashtë muaj në lidhje me përmbajtjen dhe shtrirjen e mbikëqyrjes së pasurive si dhe për gjetjet e Agjensionit në lidhje me papajtueshmërinë, konfliktin e interesave, dhuratat dhe hetimet e përfunduara.

 

21.2. Këshilli i Agjensionit ushtron funksionet e tij të parapara në këtë Ligj, kur të paktën gjysma e anëtarëve janë të pranishëm.

           

 

Neni 22

 

Këshillit të Agjensionit i caktohen detyrat profesionale dhe i sigurohen kushtet teknike për kryerjen e punëve nga Agjensioni.

           

 

Neni 23

 

Agjensioni:

 

a.   përcjellë tek Prokuroria Publike e Kosovës çdo informatë që ka të bëjë me shkeljet e mundshme korruptuese, që e njëjta të iniciojë procedurë të mëtutjeshme dhe zhvillon hetime administrative lidhur me akuzat e supozuara për korrupsion në ato raste kur nuk iniciohet procedurë penale;

 

b.   bashkëpunon me të gjitha autoritetet vendore dhe ndërkombëtare të ngarkuara për zbatimin e ligjit gjatë procedurave hetimore që kryhen nga këto autoritete;

 

c.   përgatit strategjinë kundër korrupsionit për Qeverinë për aprovim nga Kuvendi dhe ka përgjegjësinë për bërjen e amendamenteve dhe implementimin e saj;

 

d.   mbikëqyr dhe analizon të dhënat statistikore që kanë lidhje me gjendjen e korrupsionit në  Kosovë;

 

e.   merr pjesë me autoritetet publike kompetente në hartimin dhe harmonizimin e akteve për parandalimin e korrupsionit;

 

f.    mbikëqyr realizimin e këtyre akteve dhe siguron iniciativa për ndryshimin dhe plotësimin e tyre;

 

g.   merrë pjesë si organi kryesor në fushën e korrupsionit në organizimet e ngjashme nga vendet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare që trajtojnë korrupsionin;

h.   paralajmëron autoritetet e Kosovës për realizimin e detyrimeve që dalin nga aktet ndërkombëtare dhe ofron rekomandime sesi të përmbushen këto detyrime;

 

i.    merr pjesë së bashku me organizatat dhe shoqatat shkencore, profesionale, mediat dhe organizata dhe shoqata të tjera joqeveritare për parandalimin e korrupsionit;

 

j.    merr pjesë dhe këshillon gjatë hartimit të platformës së kodit të etikës në sektorin  publik dhe privat;

 

k.    ofron opinione dhe sqarime në lidhje me papajtueshmërinë, konfliktin e  interesave, dhuratat dhe çështje të tjera që kanë lidhje me përmbajtjen e këtij Ligji;

 

l.    merr pjesë dhe jep këshilla për eleminimin e shkaqeve të korrupsionit në sektorët publik dhe privat me anë organizmit të konsultimeve, seminareve, mbledhje pune dhe formave të tjera të trajnimit;

 

m.  nxjerr raport vjetor për thyerjet serioze dhe të zakonshme të ligjit, rregulloreve dhe parimeve të etikës.

           

 

KREU 3

 

KONFLIKTI I INTERESAVE

 

Neni 24

 

24.1. Në rast të një konflikti mes interesave personale dhe të përgjithshme, personi zyrtar duhet të veprojë në pajtim me interesin e përgjithshëm.

 

24.2. Ekziston një konflikt mes interesave personale dhe të përgjithshme kur gjatë kryerjes së detyrave të caktuara zyrtare ose të aktiviteteve të tjera preken interesat materiale dhe interesat e tjera të personit zyrtar ose të personit që është në marrëdhënie të afërt me të. 

 

 

Neni 25

 

25.1. Personi zyrtar që kryen punën e tij në mënyrë profesionale (në tekstin e mëtejmë: profesionisti) nuk duhet të kryejë në mënyrë të pavarur apo brenda fushës pozicionit të tij apo veprimtari të tjera që kanë për qëllim gjenerimin e të ardhurave pa pëlqimin me shkrim të eprorit të tij.

 

25.2. Pëlqimi i eprorit mund të jepet nëse aktivitetet nga paragrafi 1 i këtij neni nuk prezantojnë ndonjë rrezik për konflikt mes interesave personale të personit zyrtar dhe interesave të përgjithshme të pozitës të tij.

           

           

Neni 26

 

26.1. Personi zyrtar profesionist nuk duhet të ushtrojë funksione administrative, mbikëqyrëse, apo përfaqësimi në shoqëritë tregtare, firma, institucione, kooperativa, fonde apo agjensione.

 

26.2. Si përjashtim nga paragrafi 1 i këtij neni, personi zyrtar profesionist mund si përfaqësues i organit të tij, të jetë anëtar bordi i një institucioni apo agjensioni publik, apo anëtar i bordit mbikëqyrës së një ndërmarrjeje publike, fondi publik apo shoqërie komerciale ku autoriteti qendror apo lokal është mbajtësi i aksioneve apo i të drejtave të tjera në bazë të të cilave merr pjesë në menaxhim apo kapital.

           

           

Neni 27

 

Personi zyrtar joprofesionist nuk duhet të ushtroj funksione administrative ose përfaqësimi në një institucion publik, shoqëri, fond apo agjension tjetër kur posti i tij i jep një rol mbikëqyrës ndaj tyre.

           

Neni 28

 

Personit zyrtar, i cili ka pasur më parë një pozitë, që sipas këtij Ligji është në papajtueshmëri me funksionet publike i kërkohet heqja dorë nga pozita menjëherë pas zgjedhjes, emërimit, ose konfirmimit të mandatit të tij.

           

           

Neni 29

 

29.1. Nëse pas zgjedhjes, emërimit, ose konfirmimit të mandatit, personi zyrtar vazhdon të kryejë një aktivitet apo funksion që ky Ligj e përcakton si të papajtueshëm me funksionin e ri, Agjensioni nxjerr një paralajmërim për personin zyrtar dhe vendos një afat sipas të cilit atij do t’ju kërkohet të ndërpresin aktivitetin apo të heqin dorë nga posti. Afati i caktuar nga Agjensioni nuk mund të jetë më i shkurtër se 15 ditë apo më i  gjatë se 3 muaj.   

 

29.2. Në rast se personi zyrtar i referuar në paragrafin paraprak vazhdon kryerjen e aktiviteteve apo funksioneve të papajtueshme pavarësisht nga paralajmërimi i Agjensionit, Agjensioni propozon fillimin e procedurës për shkarkimin nga detyra nga organi kompetent.

 

29.3. Nëse organi kompetent konstaton që personi zyrtar vazhdon të kryejë një aktivitet apo funksion të papajtueshëm, ai fillon procedurën për shkarkimin nga funksioni. Organi kompetent duhet të informojë Agjensionin për vendimin e saj final.

 

 

Neni 30

 

Subjektet kontraktuese që marrin pjesë në tenderët publikë hyjnë në transaksione biznesi me ndërmarrje komerciale në pajtim me Ligjin Nr. 2003/17 për prokurimin publik në Kosovë (Rregullore e UNMIK-ut nr. 2004/03 për shpalljen e Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për Prokurimin Publik në Kosovë).

 

 

Neni 31

 

Agjensioni publikon rregullisht në Gazetën Zyrtare listën e ndërmarrjeve komerciale me të cilat në pajtim me dispozitat e këtij Ligji, entitetet kontraktuese që marrin pjesë në tenderët publikë të referuar në nenin 33, nuk mund të zhvillojnë transaksione biznesi.

           

Neni 32

 

32.1. Ndërmarrjet komerciale të referuara në paragrafin 3 të nenit 33 të këtij Ligji nuk kanë të drejtën të përfitojnë ndihma publike nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.

 

32.2. Ndërmarrjet bujqësore në zotërim të personit zyrtar ose të personave në marrëdhënie të afërt me të gjithashtu nuk kanë të drejtë të përfitojnë ndihma publike nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.

 

32.3. Dispozitat e dy paragrafëve paraprakë nuk aplikohen për ndihmat publike nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës në rast të emergjencave natyrore apo ngjarjeve të jashtëzakonshme në pajtim me ligjin.

           

 

KREU 4

PRANIMI I DHURATAVE

 

Neni 33

 

33.1. Personi zyrtar nuk ka të drejtë të pranon dhurata apo përfitime të tjera (në tekstin e mëtejmë: dhurata) në lidhje me ushtrimin e detyrës së tij përveç dhuratave formale dhe dhuratave të rastit në vlerë të vogël.

 

33.2. Dhurata formale konsiderohen dhuratat e sjella nga përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare gjatë vizitave dhe rasteve të tjera si dhe dhuratat e sjella në kushte të ngjashme.

 

33.3. Dhurata të rastit në vlerë të vogël konsiderohen dhuratat e sjella në raste të ndryshme të jubileve të punës dhe personale, raste festash dhe raste të ngjashme dhe nuk e kalojnë vlerën 50 € ose vlera totale e tyre nuk kalon 100 € në një vit, nëse ato sillen nga i njëjti person.

 

33.4. Personi zyrtar nuk mund të pranojë më tepër se 10 dhurata të rastit brenda vitit.

 

33.5. Ndalimet dhe kufizimet që rrjedhin nga ky nen aplikohen edhe për personat që janë në marrëdhënie të afërta me personin zyrtar. 

 

 

Neni 34

 

34.1. Të gjitha dhuratat e marra dhe vlera e tyre korresponduese do të regjistrohen nga personi zyrtar në katalogun e dhuratave që mbahet nga organi ku personi zyrtar ushtron funksionin e tij.

 

34.2. Nëse përcaktohet se vlera e dhuratave tejkalon vlerën e paraparë në nenin paraprak dhurata bëhet pasuri e autoritetit publik, nën ruajtjen e organit ku personi zyrtar ushtron aktivitetin e tij.

 

34.3. Dhuratat formale, pavarësisht nga vlera e tyre, bëhen pasuri e autoritetit publik, nën ruajtjen e organit ku personi zyrtar ushtron aktivitetin e tij.

           

 

Neni 35

 

35.1. Organet publike që janë të detyruara me ligj të mbajnë katalogjet e dhuratave i dërgojnë kopjet e katalogjeve për vitin paraprak në Agjension jo më vonë se dita e fundit e marsit të vitit vijues për vitin paraprak. 

 

35.2. Për çdo shmangje nga kufizimet ligjore, Agjensioni i raporton organit publik që ka dhënë katalogun.

 

 

Neni 36

 

Nëse Agjensioni përcakton se në një rast specifik personi zyrtar ka shkelur dispozitat e neneve 34 dhe 35 të këtij Ligji, ajo informon organin ku personi zyrtar ushtron detyrën.

           

           

KREU 5

MBIKËQYRJA E PASURIVE

 

Neni 37

 

37.1. Agjensioni mbikëqyrë pasuritë e personave zyrtarë të lartë.

 

37.2. Nëse Agjensioni, gjatë mbikëqyrjes siç parashihet nga ky ligj konstaton se ka një mospërputhje të dukshme mes informacionit të dorëzuar mbi pasuritë e personit zyrtar të lartë ose personit që është në marrëdhënie të afërt me të, dhe gjendjes aktuale të pasurive, Agjensioni njofton organin ku personi zyrtar i lartë ushtron detyrën e tij dhe nëse është e nevojshme edhe organet e tjera kompetente.

 

37.3. Organet e referuara në paragrafin paraprak duhet të informojnë Agjensionin për masat dhe vendimet e tyre.

 

 

Neni 38

 

Organi ku personi zyrtar i lartë ushtron detyrën, njofton Agjensionin shtatë ditë pas fillimit apo përfundimit të detyrës së atij personi.

           

             

                                                           Neni 39

 

Agjensioni mbikëqyrë pasurinë e personit zyrtar të lartë në bazë të informacionit të dorëzuar nga personi zyrtar i lartë në një formular të posaçëm, i cili do të përcaktohet nga Agjensioni.

 

 

Neni 40

 

Brenda një muaji nga marrja e postit, personi zyrtar i lartë i vë në dispozicion Agjensionit informacionin e mëposhtëm:

 

a.   funksioni i cili kryhet si profesionist apo si joprofesionist,

b.   funksione ose aktivitete të tjera që kryhen nga personi zyrtar ,

c.   funksionet e kryera nga personi zyrtar në periudhën më të afërt para marrjes së postit,

d.   gjendjen e pasurive të tij ose të personave që janë në marrëdhënie të afërt me të.

           

           

Neni 41

 

41.1. Informacioni në lidhje me gjendjen e pasurive të personit zyrtar të lartë ose të personave që janë në marrëdhënie të afërt me personin zyrtar të lartë përmban informacione rreth pasurive dhe të ardhurave të tyre, si më poshtë:

 

a.   patundshmëri,

b.   pasuri e luajtshme në vlerë të madhe,

c.   zotërimi nga ana e tyre i aksioneve në shoqëri komerciale ,

d.   letra me vlerë,

e.   para të gatshme të mbajtura në bankë, banka kursimesh dhe institucione të tjera kursimi apo kreditore,

f.    borxhet, garancitë e ndërmarra dhe detyrimet e tjera, dhe

g.   të hyrat vjetore (që shërbejnë si bazë e tatueshme).

 

41.2. Pasuri e luajtshme në vlerë të madhe siç referohet në pikën (b) të paragrafit paraprak konsiderohen pasuritë e luajtshme me vlerë mbi 5.000 €.

 

41.3. Agjensioni mund të kërkojë dëshmi të përshtatshme nga personi zyrtar i lartë për informacionin e referuar në paragrafin 1 të këtij neni.

           

           

Neni 42

 

42.1. Çdo ndryshim në gjendjen e pasurive të referuara në pikat 1 deri në 6 të paragrafit paraprak raportohet nga personi zyrtar i lartë në Agjension, çdo vit deri në ditën e fundit të marsit.

 

42.2. Agjensioni mund të kërkojë në çdo kohë nga personi zyrtar i lartë që të dorëzojë informacionin e referuar në pikat 1 deri 6 të paragrafit 1 të nenit paraprak. Personi zyrtar i lartë duhet të përmbushë kërkesat e Agjensionit në afat prej 15 ditësh që nga marrja e kërkesës.

 

 

Neni 43

 

43.1. Nëse personi zyrtar i lartë nuk dorëzon informacionin e referuar në nenin 41 ose 42 të këtij Ligji brenda afateve të përcaktuara në këtë Ligj, Agjensioni nxjerr një paralajmërim dhe vendos një afat të ri i cili nuk mund të jetë më i shkurtër se 15 ditë nga dita e nxjerrjes së paralajmërimit.

 

43.2. Nëse personi zyrtar i lartë nuk dorëzon informacionin e kërkuar brenda afatit të përcaktuar në paragrafin paraprak, Agjensioni informon organin ku personi zyrtar i lartë ushtron detyrën e tij ose organin përgjegjës për përcaktimin e pagesës së pagës apo shpërblimin e pagës.

 

43.3. Në rastin e përshkruar në paragrafin paraprak, paga ose shpërblimi i pagës zvogëlohen me 1/5 për çdo muaj pas kalimit të afatit të referuar në paragrafin 1 të këtij neni dhe derisa të merret njoftimi i Agjensionit, që personi zyrtar i lartë ka dorëzuar informacionin e kërkuar.

 

43.4. Nëse personi zyrtar i lartë nuk dorëzon informacionin e kërkuar brenda tre muajve nga kalimi i afatit të referuar në paragrafin 1 të këtij neni, Agjensioni njofton organin përgjegjës për fillimin e procedurës për shkarkimin nga detyra. Pagesa e pagës ose shpërblimi i pagës ndërpriten.

 

43.5. Nëse organi kompetent përcakton se personi zyrtar i lartë nuk ka dorëzuar informacionin e kërkuar, ai fillon procedurën për shkarkimin nga detyra dhe informon Agjensionin për vendimin e tij final.

           

           

KREU 6

MBROJTA E TË DHËNAVE, RUAJTJA, MBAJTA E SHËNIMEVE,

DHE FSHEHTËSIA E INFORMACIONIT

 

Neni 44

 

44.1. Anëtarët e Agjensionit, Këshillit të Agjensionit dhe çdo person i punësuar nga Agjensioni janë të detyruar të ruajnë si sekret zyrtar çdo informacion të marrë nga Agjensioni gjatë ushtrimit të detyrave të saj që konsiderohet si sekret zyrtar. 

 

44.2. Të gjithë personat që vijne në dijeni të sekreteve zyrtare gjatë bashkëpunimit me Agjensionin do të informohen për detyrimin për të mbrojtur sekretet zyrtare dhe pasojat e nxjerrjes së tyre. Individët konfirmojnë me anë të nënshkrimit të tyre që janë në dijeni të paralajmërimit. 

 

44.3. Edhe pas pushimit të marrëdhënies së punës, personat nga paragrafi 1 i këtij neni, kanë për detyrë ta ruajnë sekretin zyrtarë në afatin prej 15 vitesh, përveç nëse vendoset ndryshe nga drejtori i Agjensionit.

           

           

Neni 45

 

Të dhënat e marra në pajtim me këtë Ligj do të përdoren vetëm për qëllimet e përcaktuara nga ky ligj.

           

 

Neni 46

 

46.1. Agjensioni është i detyruar të mbajë të dhënat, informacionin dhe dokumentacionin e marrë në bazë të këtij Ligji për një periudhë prej 15 vitesh. 

 

46.2. Agjensioni duhet të mbajë shënimet e mëposhtme:

 

a.   shënimet për hetimet për rastet e korrupsionit, si dhe personat e përfshirë në to,

 

b.   shënimet për personat zyrtarë dhe personat që janë të afërt me ta (emri personal, data e lindjes, vendqëndrimi dhe vendbanimi),

 

c.   shënimet për ndërmarrjet komerciale të referuara në nenin 33 i këtij Ligji  (emri i ndërmarrjes komerciale, numri i regjistrimit dhe zyra qendrore) dhe ndërmarrjet bujqësore të referuara në paragrafin 2 të nenit 35 të këtij Ligji.

 

d.   Shënimet për katalogjet e dhuratave të referuara në paragrafin 1 të nenit 37 të këtij Ligji dhe shënimet për njoftimet e referuara në paragrafin 2 të nenit 38 dhe nenin 39 të këtij Ligji.

 

e.   Shënimet për informacionet sipas neneve 43 dhe 44 të këtij Ligji për personat e përmendur në pikën 2 të këtij paragrafi.

 

46.3. Të dhënat dhe informacionin në shënimet e mbajtura nga Agjensioni këtij Ligji duhet të ruhen për një periudhë prej 15 vite dhe të arkivohen apo mbahen në pajtim me Ligjin.

 

 

KREU 7

SANKSIONE ADMINISTRATIVE

 

Neni 47

 

47.1. Subjektet kontraktuese që marrin pjesë në tenderët publikë janë të detyruar të paguajnë një gjobë prej 50% të vlerës së kontratës nëse konfirmohet se ata ia kanë dhënë tenderin publik një ndërmarrjeje komerciale të referuar në paragrafin 3 të nenit 33 të këtij Ligji.

 

47.2. Personat përgjegjës të subjekteve kontraktuese që marrin pjesë në tenderët publike janë të detyruar të paguajnë një gjobë nga 5.000 deri në 50.000 €, nëse konfirmohet se ata kanë kryer shkeljet e referuara në paragrafin paraprak.

 

 

 

KREU 8

DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

Neni 48

 

Institucionet në të cilat punojnë personat zyrtarë të referuar në nenin 2 të këtij Ligji janë të detyruar të dorëzojnë listën e personave zyrtarë dhe personave të afërt në Agjension brenda 3 muajve pasi Agjensioni fillon funksionimin.

 

 

 

Neni 49

 

49.1. Personat zyrtarë janë të detyruar të dorëzojnë në Agjension informacionin e referuar në nenet 43 dhe 44 të këtij ligji brenda 6 muajve pasi Agjensioni fillon funksionimin.

 

49.2. Personat zyrtarë janë të detyruar të përfundojnë aktivitetet që janë të përcaktuara në këtë Ligj si të papajtueshëm me ushtrimin e detyrës apo të kërkojnë pëlqimin e eprorit sipas nenit 28 të këtij Ligji brenda 6 muajve pasi Agjensioni fillon funksionimin.

 

 

 

Neni 50

 

Brenda 15 ditëve pasi Agjensioni fillon funksionimin, drejtori duhet t’i fton institucionet  e referuara në paragrafin 2 të nenit 19 të këtij Ligji për të emëruar anëtarët e Këshillit të Agjensionit. Mbledhja konstitutive (themeluese) do të thirret nga drejtori i Agjensionit brenda 15 ditëve nga marrja e informacionit për emërimin e anëtarit të fundit të Këshillit të Agjensionit.

 

 

Neni 51

 

51.1. Kuvendi i Kosovës emëron drejtorin vendor të Agjensionit brenda 60 ditësh pas shpalljes së këtij ligji.

 

51.2. Agjensioni do të fillojë funksionimin pas emërimit të drejtorit të Agjensionit.

 

 

Neni 52

 

52.1. Brenda 12 muajve nga fillimi i funksionimit, Agjensioni duhet të konfirmojë strategjinë e aplikueshme kundër korrupsionit ose të dorëzojë për aprovim nëpërmjet Qeverisë për Kuvendin e Kosovës amendamentet e duhura dhe relevante si dhe plotësimet tek strategjitë e aprovuara më parë apo një strategji të re.

 

52.2. Propozimi për rregullat procedurale të referuara në nenin 13 të këtij Ligji do t’i dorëzohet nga Agjensioni Këshillit të Agjensionit për aprovim brenda 3 muajve nga emërimi i drejtorit të Agjensionit.

 

52.3. Këshilli do të miraton rregullat procedurale brenda 30 ditëve nga dorëzimi i tyre, brenda 15 ditëve nga miratimi i rregullave procedurale, Agjensioni do të nxjerrë aktet që kanë të bëjnë me organizmin dhe sistematizimin e brendshëm.

 

 

Neni 53

 

Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit në Kuvendin e Kosovës, nënshkrimit të Kryetarit të Kuvendit dhe shpalljes nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm.

 

 

12 maj 2005

UNMIK/REG/ 2005/26
 
< Mbrapa