Home arrow Ligjet e Botuara arrow Ligji Nr.2004/46 MBI REGJISTRAT E GJENDJES CIVILE
Qer 22 2007
Ligji Nr.2004/46 MBI REGJISTRAT E GJENDJES CIVILE
e premte . 22 qershor 2007

Ligji Nr.2004/46

MBI REGJISTRAT E GJENDJES CIVILE

 

 

Kuvendi i Kosovës

 

Në pajtim me autoritetin ligjvënës që i është dhënë Kuvendit të Kosovës në Kreun 9.1.1 të Rregullores së UNMIK-ut  nr. 2001/9 të Kornizës Kushtetuese;

 

Duke pasur parasysh Kreun 5.1 pika (i) dhe 9.1.26 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/9 të Kornizës Kushtetuese;

 

Me qëllim të krijimit të kushteve, formave dhe të një procedure koherente për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile të banorëve të Kosovës;

 

 

Miraton:  

 

LIGJIN  MBI REGJISTRAT E GJENDJES CIVILE

 

Kreu I

 

Dispozitat e përgjithshme

Neni 1

 

Me këtë ligj rregullohen dhe përcaktohen: librat amzë, mënyra e mbajtjes dhe e ruajtjes, llojet e librave amzë, mënyra dhe faktet e regjistrimit, regjistrimet e mëvonshme, vërejtjet, ruajtja, ripërtrirja, bashkëpunimi dhe mbikëqyrja rreth udhëheqjes së librave amzë.

 

 

Përkufizimet

Neni 2

 

Librat Amzë” janë libra zyrtarë ku mbahen shënimet lidhur me gjendjen personale të banorëve lidhur me faktet e të gjitha: lindjeve, martesave dhe vdekjeve dhe të dhënave tjera që burojnë prej tyre.

 

Libër Amzë i të Lindurve” është libri ku mbahen shënime lidhur me faktet e të gjithë të lindurve në Territorin Amë apo komunën ku ka ndodhur lindja.

 

Libër Amzë i martesave”është libri ku mbahen shënimet lidhur me faktet e të gjitha martesave në komunën përkatëse.

 

Libër Amzë i të Vdekurve” është libri ku mbahen të gjitha shënimet lidhur me faktet e të gjitha  vdekjeve të ndodhura .

 

Territori Amë  është vendi të cilin e përbëjnë të gjitha lokalitetet e banuara për të cilat mbahen Librat e Amzës.

 

“Zyra e Gjendjes Civile” është Zyra e Gjendjes Civile në Territorin Amë apo në komunën përkatëse ku regjistrohen faktet e lindjeve, martesave dhe vdekjeve.

 

Ngjyra speciale e zezë” është ngjyrë e veçantë dhe e vetme e lejuar  që përdoret për të shënuar  të dhënat në librat amzë.

 

Rubrika regjistrime të mëvonshme” është rubrikë e veçantë në librin amzë ku bëhen shënime në regjistrimet e mëvonshme lidhur me faktet që regjistrohen.

 

Rubrika vërejtje”është rubrikë në të cilën shënohen të dhënat plotësuese.

 

Certifikatë” është dokument zyrtar që e lëshon Zyra e Gjendjes Civile si dëshmi e të dhënave të bazuara në librat amzë

 

 

Librat Amzë

Neni 3

 

3.1. Librat Amzë janë libra në të cilat mbahen shënimet-evidencat themelore zyrtare mbi gjendjen civile të banorëve .

 

3.2. Në librat amzë regjistrohen faktet e: lindjes, martesës, vdekjes dhe ndryshimet që kanë të bëjnë lidhur me këto fakte të banorëve në Kosovë dhe regjistrimi i këtyre fakteve të ndodhura jashtë vendit .

 

3.3. Faktet dhe të dhënat e lidhura me lindjet, martesat dhe vdekjet e banorëve të Kosovës që kanë ndodhur jashtë territorit të Kosovës duhet të regjistrohen vetëm në Zyrën Komunale të Gjendjes Civile të cilës i takon pala.

 

3.4 Librat amzë mbahen në dy mënyra: në formë të shkruar dhe në ato elektronike.

 

3.5. Forma elektronike mbahet sipas udhëzimeve të Ministrisë përkatëse.

 

 

Mirëmbajtja e librave amzë

Neni 4

 

4.1. Librin amzë e mban dhe udhëheq drejtpërdrejtë zyrtari i autorizuar përkatësisht i certifikuar për kryerjen e punëve të gjendjes civile- Zyrtari i Zyrës të Gjendjes Civile (në tekstin e mëtejmë - ZGjC)  në komunë përkatësisht i Zyrës Administrative në Territorin Amë  për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile.

 

4.2. Zyrtari i gjendjes civile kur mungon zëvendësohet nga zyrtari tjetër i ZGjC i  caktuar për zëvendësim me të gjitha autorizimet e tij.

 

4.3. Territorin amë, numrin dhe vendbanimet që përfshinë ky territor i cakton Kuvendi Komunal.

 

4.4. Në territorin amë mbahen libri amzë i të lindurve dhe i të vdekurve kurse libri i përbashkët amzë i të martuarve mbahet vetëm në Zyrën Komunale të Gjendjes Civile në Komunë.

4.5. Për secilin vit kalendarik mbahen libra të veçanta.

 

4.6. Nëse gjatë vitit kalendarik libri amzë plotësohet atëherë regjistrimi vazhdon në librin tjetër të amzës me numrin pasues nga libri i mëparshëm.

 

4.7. Librat amzë përfundohen në fund të çdo viti duke shënuar “përfundon me numrat vijues (shënohet me numra dhe me germa numri i regjistrimeve) të regjistrimeve në atë vit ”.

 

4.8. Nëse gjatë vitit kalendarik nuk ka pasur fakte të regjistrimit të lindjeve, martesave ose vdekjeve, në këtë libër për vitin përkatës shënohet “për këtë vit nuk ka pasur regjistrime”

 

4.9. Në vitin pasues kalendarik regjistrimi i parë fillon me numrin  01.

 

4.10. Regjistrimet në librin amzë bëhen sipas radhës së paraqitjeve të rasteve për regjistrim.

 

4.11. Në librin amzë në të cilin regjistrimi i fundit është kryer para 110 viteve ato libra dërgohen në Arkivin e Kosovës.

 

4.12. Llojin dhe lartësinë e taksës për shërbime administrative për regjistrimin e fakteve e cakton kuvendi komunal në suaza të përcaktuara me ligj.

 

 

 

Shënimet paraprake në librat amzë

Neni 5

 

5.1. Në librin amzë në faqen e parë në të cilin nuk ka numër të shënuar  vëhet:

 

a.   Emri i librit të amzës (p.sh. libri amzë i të lindurve, libri amzë i të martuarve ose libri amzë i të vdekurve),

b.   Emri i vendit në të cilin mbahet libri  amzë dhe emri i komunës,

c.   Data e regjistrimit të parë dhe të fundit të regjistrimit,

d.   Shenja e vulës,

e.   Nënshkrimi i zyrtarit të gjendjes civile,

f.    Nënshkrimi i Kryetarit të Kuvendit Komunal dhe

g.   Vërtetimi i numrit të faqeve të librit amzë.

 

5.2. Nëse ndryshon emri i vendit respektivisht i territorit amë apo komunës ku mbahen librat amzë , ndryshimet e tilla shënohen në vazhdim të thirrjeve të mëparshme.

 

 

 

Mënyra e regjistrimit

Neni 6

 

Rastet e faktit të lindjes, martesës dhe vdekjes shënohen në atë mënyrë që:

 

a.   dita shkruhet me numra arab , kurse në kllapa me shkronja

b.   muaji shkruhet me shkronja

c.   viti me numra arab  kurse

d.   orët me numra prej 00-24 dhe minutat prej 00-60

 

 

Neni 7

 

Mbikëqyrjen, kontrollimin, mënyrën e mbajtjes , ruajtjen elektronike, shpërndarjen e librave amzë dhe përcjelljen e regjistrave përcjellës abcd dhe certifikatave, shpërndarjen e vulave, përcaktimin e zyrtarëve të autorizuar për nënshkrim  caktimin e mënyrës së udhëheqjes së librave amzë rreth punëve të gjendjes civile e bënë Ministria përkatëse.

 

 

Neni 8

 

8.1. Në librin amzë shkruhet vetëm me ngjyrën e zezë speciale e cila shërben për të shënuar të dhënat me shkrim lidhur me faktin që kërkohet të regjistrohet.

 

8.2. Në librin amzë nuk lejohet të shënohen të dhëna të tjera pos atyre që kanë të bëjnë me faktet e shkruara që i janë paraqitur respektivisht ato shënime që i mbanë akti i organit kompetent.

 

8.3. Shënimet që regjistrohen në librin amzë detyrimisht duhet të jenë të vërteta.

 

8.4. Për shënimin e emrit personal dhe mbiemrit, përdoret gjuha e kërkuesit për të shënuar të dhënat sipas rregullave drejtshkrimore të gjuhës së kërkuesit.

 

 

Gabimet dhe përmirësimet e tyre

Neni 9

 

9.1. Nëse Zyrtari i Gjendjes Civile vëren se janë bërë gabime gjatë regjistrimit para se të përfundoj regjistrimi, ato gabime mund t’i përmirësoj ai vetë.

 

9.2. Përmirësimin e tillë Zyrtari i Gjendjes Civile është i detyruar që ta konstatoj dhe vërtetoj në librin amzë me nënshkrimin e vet dhe me vulë në rubrikën “vërejtje”.

 

9.3. Përmirësimet e mëvonshme në librin amzë mund të bëhen vetëm me aktvendim të organit kompetent duke e regjistruar këtë ndryshim në rubrikën “shënime pas regjistrimit të përfunduar”  duke shënuar:

 

a.   Çka është përmirësuar

b.   Organin që ka nxjerrë aktvendim

c.   Numrin dhe datën e aktvendimit.

 

9.4. Për çdo përmirësim të mëvonshëm në librin burimor të amzës të përfunduar, Zyrtari i Gjendjes Civile ka për detyrë që në afat prej 3 ditësh pas kryerjes së këtij përmirësimi t’a njoftoj organin kompetent që ruan kopjen përkatëse të  librit amzë, në mënyrë që ky përmirësim të evidentohet dhe të bëhet edhe në kopjen e tillë nga ky organ.

 

9.5.  Nën çdo shënim “regjistrimet e mëvonshme dhe shënimet” vëhet:

 

a.   Data e shënimit  ( në anën e majtë) dhe

b.   Nënshkrimi i zyrtarit të gjendjes civile (në anën e djathtë)

 

9.6. Nëse rubrikat “vërejtje“ dhe “regjistrimet e mëvonshme” janë plotësuar kurse regjistrimi nuk është kryer ose është e nevojshme të evidentohen shënime të reja, posa të bëhet regjistrimi plotësues, ky shënim vazhdohet në rubrikat përkatëse me një fletë të veçantë “fletëplotësuese”

 

9.7.  Në këtë fletë shënohet:

 

a.   Numri vijues i regjistrimit themelor dhe

b.   Fleta vërtetohet me vulën e organit kompetent ashtu që shenja e vulës të përfshijë faqen e librit amzë.

 

9.8. Nëse gjatë regjistrimit të bërë janë shënuar gabimisht të dhënat në disa rubrika ashtu që përmirësimi nuk mund të zbatohet Zyrtari i Gjendjes Civile do të bëjë regjistrimin e drejtë në formularin vijues me numrin e njëjtë vijues e në mënyrë diagonale do t’i  bjerë vizë formularit të plotësuar gabimisht e pastaj e bënë shënimin në rubrikën “vërejtje” me shenjën se regjistrimi i rregullt është bërë në formularin vijues.  

 

9.9. Kur përmirësimi i regjistrimit bëhet sipas paragrafit  9.8  të këtij neni bëhet sipas aktvendimit të organit kompetent  Zyrtari i Gjendjes Civile do të bëjë regjistrimin e rregullt nën numrin e ri vijues i cili pason pas regjistrimit të fundit të bërë, e pastaj me vizë diagonale do të anuloj formularin e plotësuar gabimisht  dhe në rubrikën “ regjistrime të mëvonshme” do të shënoj “është përmirësuar në bazë të aktvendimit të organit kompetent: datën, numrin e aktvendimit dhe regjistrimi është bërë në numrin vijues”

 

9.10. Kur regjistrimi themelorë është bërë gabimisht në librin tjetër (regjistrimi i bërë sipas kompetencës) Zyrtari i Gjendjes Civile, zyrtari ose personi tjetër që ka vërejtur gabimin e informon menjëherë organin kompetent komunal për këtë.

 

9.11. Pas vendimit të organit kompetent për përmirësim, Zyrtari i Gjendjes Civile do të anulojë regjistrimin e bërë gabimisht me vijë diagonale dhe në rubrikën “regjistrimet e mëvonshme” saktëson se:

 

a.   Regjistrimi i bërë gabimisht anulohet në bazë të aktvendimit përkatës për këtë regjistrim ,

b.   duke cekur organin që ka lëshuar aktvendimin,

c.   numrin, dhe datën e aktvendimit

d.   se regjistrimi është bërë në librin përkatës të amzës (sipas faktit)

e.   vendin e banimit dhe komunën  dhe

f.    numrin vijues

 

 

 

Nënshkrimi i regjistrimit

Neni 10

 

10.1. Zyrtari i Gjendjes Civile pas përfundimit të regjistrimit duhet t’i lexoj personit që ka paraqitur faktin respektivisht dëshmitarëve të gjitha shënimet e regjistruara dhe këtë do ta vërtetoj në librin amzë në rubrikën e vërejtjeve.

 

10.2. Regjistrimin në librin e amzës e nënshkruan personi që ka paraqitur faktin për regjistrim, dëshmitarët dhe Zyrtari i Gjendjes Civile.

 

10.3. Nëse personi që ka paraqitur faktin për regjistrim apo dëshmitarët refuzojnë të nënshkruajnë regjistrimin, Zyrtari i Gjendjes Civile këtë do ta konstatoj në librin e amzës dhe për këtë përpilon një shënim.

 

 

Kopjet e librave amzë

Neni 11

 

11.1. Përpos librave burimor të amzës mbahen edhe kopjet e tyre përkatëse në formën e njëjtë sikur të librit burimor.

 

11.2. Kopjet e librave burimore plotësohen paralelisht me librin burimor dhe detyrimisht duhet të përmbajnë të gjitha shënimet që përmban libri burimor.

 

11.3. Për dallim nga librat burimore, kopjet e tyre i mban dhe ruan organi kompetent.

 

11.4. Kopjet e librave burimore mund të fotokopjohen dhe fotokopja e tillë paraqet „kopjen e dytë” dhe vërtetohet nga organi kompetent pas barazimit me kopjen e parë.

 

11.5. Nëse humbet ose asgjësohet libri burimor i amzës organi kompetent që ruan kopjen e parë apo të dytë lëshon certifikata në bazë të këtyre kopjeve deri në kohën e përshkrimit të librit burimor.

 

11.6. Kopjet elektronike të librave amzë i mban dhe  ruan organi kompetent qendror i gjendjes civile në Ministrinë përkatëse.

 

 

 

Ruajtja e librave amzë

Neni 12

 

12.1. Librat amzë të përfunduara gjatë vitit kalendarik vërtetohen vulosën dhe nënshkruhen nga zyrtari i autorizuar i gjendjes civile në fund të vitit.

 

12.2. Librin burimor të amzës e ruan Zyrtari i Gjendjes Civile, kurse kopjen e librit të amzës e ruan organi kompetent.

 

12.3. Librat e amzës patjetër ruhen duke siguruar në masë më të madhe sigurinë e tyre nga dëmtimet apo asgjësimi i tyre,

 

12.4. Librat amzë burimore si dhe kopjet e tyre nuk guxojnë të ruhen në të njëjtën ndërtesë.

 

 

 

Regjistri i librave të amzës

Neni 13

 

13.1. Krahas çdo libri të amzës mbahet edhe regjistri i shënimeve abcd-ve

 

13.2. Ky regjistër mbahet sipas formularit përkatës.

 

13.3. Lidhur me formularin e regjistrit organi kompetent nxjerrë akte rregullative për përmbajtjen dhe formën e formularit.   

 

13.4. Regjistri mbahet sipas germës së pare të mbiemrit ndërsa për kufomat e paidentifikuara përdoret shkronja “N”.

 

13.5. Së bashku me regjistrin e librave amzë për interes të efikasitetit mund të mbahet edhe kartoteka.

 

E drejta e shikimit të shënimeve në librat amzë

Neni 14

 

Të drejtën e shikimit në librat e amzës e ka:

 

a.   personi i interesuar për të cilin mbahen shënimet,

b.   anëtari i familjes së tij të ngushtë,

c.   adoptuesi apo kujdestari  ose përfaqësuesit e tjerë të autorizuar ,

d.   personi tjetër zyrtar vetëm me arsyen e interesit të përgjithshëm dhe të bazuar në ligj.

 

 

Kreu II

 

Llojet e Librave Amzë

Neni 15

 

15.1. Për secilin fakt të gjendjes civile të banorëve mbahet libër i veçantë si: libri amzë i të lindurve, libri amzë i martesës dhe libri amzë i të vdekurve.

 

15.2. Krahas me librat amzë mbahet edhe regjistri abcd-ve

 

 

Libri Amzë i të lindurve

Neni 16

 

16.1.   Në librin amzë të të lindurve regjistrohet fakti i lindjes së fëmiut.

 

16.2. Fakti i lindjes regjistrohet në territorin amë respektivisht në Zyrën Komunale të Gjendjes Civile në komunën ku ka ndodhur lindja.

 

16.3. Fakti i lindjes paraqitet me shkrim nga organi kompetent (institucioni shëndetësor) ku ka ndodhur lindja brenda afatit prej 15 ditëve.

 

16.4. Fakti i lindjes regjistrohet në librin amë brenda 30 ditëve nga dita e lindjes.

 

16.5. Lindjen e fëmiut jashtë institucionit shëndetësor  brenda afatit prej 30 ditësh ka për detyrë që ta paraqes:

 

a.   I ati respektivisht  e ëma  e fëmiut,

b.   Personi në shtëpinë (banesën) e të cilit ka ndodhur lindja,

c.   Mjeku, mamia apo personi tjetër nëse kanë marrë pjesë me rastin e lindjes.

 

16.6. Në rastet kur lindja nuk paraqitet brenda afatit prej 30 ditësh të paraparë   në paragrafin 7 atëherë regjistrimi bëhet me aktvendim të organit kompetent mbi regjistrimin e mëvonshëm

 

16.7. Faktin e lindjes ka për detyrë ta paraqes edhe personi që ka gjetur fëmiun dhe Zyrtari i Gjendjes Civile në rubrikën “vërejtje” shënon të gjitha të dhënat rreth rastit të gjetjes së fëmiut dhe të dhënat e personit që ka gjetur fëmiun. 

 

16.8.   Në regjistrimin e faktit të lindjes si shënime bazë shënohet:

 

a.   Emri dhe mbiemri i fëmiut

b.   Gjinia e fëmiut

c.   Dita muaji ora dhe vendi i lindjes

d.   Numri personal

e.   Emri dhe mbiemri i prindërve (për  prindin që ka ndryshuar mbiemrin pas martesës shënohet edhe ai mbiemër p.sh mbiemri i vajzërisë për nënën)

f.    Data e lindjes së prindërve dhe vendi i lindjes

g.   Vendbanimi dhe adresa e prindërve

h.   banimi i përhershëm

 

16.9. Si shënime plotësuese shënohen këto të dhëna:

 

a.   emri personal i fëmiut

b.   pranimi apo vërtetimi i atësisë përkatësisht amësisë

c.   lidhja e martesës së prindërve nëse kjo martesë bëhet pas lindjes së fëmiut.

d.   Kujdestari i fëmiut

e.   Heqja apo kthimi  të drejtave prindore mbi fëmiun,

f.    Vazhdimi apo ndërprerja e të drejtave prindore,

g.   Lidhja apo shkëputja e martesës,

h.   Ndërrimi i emrit apo mbiemrit të fëmiut, prindërve, kujdestarit apo adoptuesit,

i.    Ndërrimi i shtetësisë,

j.    Vdekja apo shpallja për të vdekur i personit të zhdukur dhe

k.    Përmirësimet e kryera pas regjistrimit bazë.

 

16.10. Zyrtari i Gjendjes Civile lidhur me faktin e lindjes së paraqitur përpilon procesverbal.

 

16.11. Nëse faktin e lindjes e paraqet institucioni shëndetësor, kjo shënohet në rubrikën “vërejtje”

 

16.12. Nëse fakti i lindjes regjistrohet në bazë të aktvendimit të organit kompetent komunal kjo shënohet në rubrikën “vërejtje”

 

 

 

Caktimi, korrigjimi, ndërrimi dhe përmirësimi i emrit personal

Neni 17

 

Caktimi, ndryshimi, ndërrimi dhe përmirësimet e emrit personal rregullohet me ligjin për emrin personal.

 

 

 

Regjistrimi i faktit të lindjes në rast të mungesës së njërit apo të dy prindërve

Neni 18

 

18.1. Me rastin e regjistrimit të faktit të lindjes kur  njëri  prind është i pa njohur rubrika në librin amzë për të dhënat e atij prindi nuk plotësohet por shënohet se prindi është i panjohur.

 

18.2. Kur janë të dy prindërit të panjohur regjistrimi bëhet në bazë të aktvendimit të organit të kujdestarisë kurse në rubrikën „vërejtje“ apo „regjistrime të mëvonshme“ duke shënuar:

 

a.   Se regjistrimi është bërë me aktvendimin e organit të kujdestarisë

b.   Emri i organit të kujdestarisë

c.   Numri dhe data e aktvendimit

 

18.3. Kur me vendim të gjyqit është përcaktuar prindi Zyrtari i Gjendjes Civile në rubrikën „vërejtje“ ose „regjistrimet e mëvonshme“  shënon:

 

a.   Babai/nëna e fëmiut është përcaktuar me vendim të gjyqit

b.   Emri i gjyqit dhe selia

c.   Numri dhe data e vendimit

 

18.4. Me rastin e gjetjes së fëmiut të porsalindur prindërit e të cilit nuk dihen Zyrtari i Gjendjes Civile menjëherë përpilon procesverbal.

 

18.5. Procesverbali përpilohet në tre ekzemplar dhe përmban:

 

a.   Emrin, mbiemrin dhe adresën e personit që ka gjetur fëmiut apo ka paraqitur gjetjen e fëmiut

b.   Vendin dhe kohën e gjetjes

c.   Rrethanat në të cilat është gjetur fëmiu

d.   Mosha e saktë dhe gjinia e fëmiut

e.   Shenjat dalluese apo të veçanta trupore të fëmiut

f.    Thirrjen e entit apo të dhënat e personit ku gjendet fëmija nën përkujdesje

g.   Nëse ka pasur dëshmitarë me rastin e gjetjes së fëmiut merren edhe deklaratat e tyre

 

18.6. Gjithashtu procesverbal,  përpilon edhe organi i kujdestarisë.

 

 

 

Pranimi i atësisë dhe/ose amësisë

Neni 19

 

19.1. Personi i cili konsideron vetën baba/nënë të fëmiut mund të pranoj atësinë/amësinë në Zyrën e Gjendjes Civile ku ka lindur fëmiu dhe se deklarata e tij/saj duhet të regjistrohet në procesverbal. me nënshkrimin e tyre dhe të Zyrtarit të Gjendjes Civile duke e vënë  vulën dhe datën në procesverbal.

 

19.2. Deklarata mbi pranimin e atësisë/amësisë shënohet në rubrikën “vërejte”apo “regjistrimet e mëvonshme” duke cekur:

 

a.   Emrin personal të personit që ka pranuar atësinë/amësinë,

b.   Organin para të cilit është pranuar atësia/mëmësia,

c.   Numri dhe data e procesverbalit,

d.   Pajtimi i nënës për pranimin e atësisë të personit që konsideron baba,

e.   Organin para të cilit nëna e ka pranuar atësinë e atij personi,

f.    Data dhe numri i deklaratës.

 

19.3. Kur me rastin e pranimit të atësisë/amësisë ende nuk është caktuar emri personal i fëmiut në procesverbal ceket edhe ky fakt dhe regjistrohet në rubrikën ”vërejtje”apo”regjistrimet e mëvonshme” se prindërit nuk ia kanë caktuar fëmiut emrin.

 

19.4.  Atësia mund gjithashtu të njihet para Organit të Kujdestarisë , gjykatës apo organit tjetër ku ka lindur fëmiu të autorizuar për përgatitjen e dokumenteve publike. Këto organe janë të detyruara që pa vonesë të dërgojnë procesverbalin e vërtetuar tek Zyrtari i Gjendjes Civile kompetent i cili duhet të regjistroj fëmiun në librin amzë  te të lindurve.

 

19.5. Atësia gjithashtu mund të njihet edhe me testament dhe këtë Zyrtari i Gjendjes Civile e evidenton në librin amzë te të lindurve.

 

19.6.  Nëna e fëmiut të lindur jashtë martesës në paraqitjen e lindjes së fëmiut mund që me autorizimin e personit ta shënojë personin të cilin e konsideron at  të fëmiut së vet dhe kjo deklaratë me gojë e prezantuar para Zyrtarit të Gjendjes Civile shënohet në procesverbal nga ai dhe pas regjistrimit të fëmiut edhe në rubrikën vërejtje shënon “nëna e fëmiut jashtëmartesor cakton babain e fëmiut”.

 

19.7. Nëse nëna në paraqitjen e lindjes së fëmiut nuk e ka shënuar personin që e konsideron at të fëmiut, Zyrtari i Gjendjes Civile do ta udhëzojë për të drejtën e saj që ta bëjë këtë gjë.

 

19.8. Kur e merr deklaratën e nënës për personalitetin e atit të fëmiut së saj, Zyrtari i Gjendjes Civile do ta ftojë personin e shënuar të deklarohet për atësinë e vet drejtpërdrejt para Zyrtarit të Gjendjes Civile ose në dokumentin e vërtetuar brenda afatit prej 30 ditësh. Letërthirrja për personin e  tillë medoemos i dorëzohet personalisht dhe sipas mënyrës me të cilën sigurohet fshehtësia.

 

19.9. Nëse personi i ftuar deklaron se nuk do të jetë atë i fëmiut ose brenda afatit prej 30 ditësh nuk deklarohet për atësinë e fëmiut, Zyrtari i Gjendjes Civile lidhur me këtë gjë do ta informojë nënën e fëmiut.

 

19.10. Nëna e fëmiut me këtë rast mund të inicioj procedurën para gjykatës.

 

19.11. Nëse personi i ftuar deklaron në procesverbal para Zyrtarit të Gjendjes Civile se konsideron veten at të fëmiut dhe kjo është regjistruar në dokumentin e verifikuar nga organi kompetent Zyrtari i Gjendjes Civile zyrtarisht do ta regjistrojë si at të fëmiut, në librin  amzë të të lindurve dhe për këtë regjistrimin duhet të informojë nënën e fëmiut dhe këtë  fakt e evidenton edhe në rubrikën ”regjistrimet e mëvonshme”.

 

 

Martesa e lidhur mes prindërve të fëmiut pas pranimit të atësisë/amësisë

Neni 20

 

20.1. Kur prindërit jashtëmartesor që kanë pranuar fëmiun si të vetin lidhin martesë, Zyrtari i Gjendjes Civile duke u mbështetur në librin amzë të të martuarve apo në bazë të certifikatës të lëshuar në bazë të këtij libri në rubrikën “vërejtje” apo “regjistrime të mëvonshme”  shënon se:

 

a.   Me lidhjen e martesës fëmija është bërë martesor

b.   Vendi ku është lidhë martesa

c.   Numri vijues dhe data e regjistrimit të martesës në librin amzë

 

20.2. Poashtu edhe ndryshimet tjera si : vdekja apo shkurorëzimi regjistrohen detyrimisht në rubrikën “vërejtje” apo regjistrime të mëvonshme “

 

20.3. Nëse gjatë martesës prindërit apo bashkëshortët, të miturit i ndërrojnë emrin apo mbiemrin  në rubrikën sipas nenit 17 të këtij ligji “regjistrimet e mëvonshme “ dhe në procesverbal Zyrtari i Gjendjes Civile do të shënoj se:

 

a.   Prindërit me marrëveshje i kanë caktuar emrin dhe/apo mbiemrin e ri fëmiut (ceket emri dhe/apo mbiemri),

b.   Numri dhe data e procesverbalit dhe

c.   Organin para të cilit është dhënë deklarata

 

 

Regjistrimet  e të dhënave me rastin e adoptimit

Neni 21

 

21.1. Me rastin  kur  prindërit janë të panjohur fëmija adoptohet në bazë të aktvendimit të organit kompetent,  Zyrtari i Gjendjes Civile në librin amzë te të lindurve në rubrikën për prindërit shënon emrin e adoptuesit me të dhënat përkatëse dhe në “regjistrimet e mëvonshme” do të shënoj:

 

a.   regjistrimi i të dhënave është bërë në bazë të aktvendimit të organit  (ceket organi, numri dhe data e aktvendimit)

 

21.2. Me rastin e shkëputjes së adoptimit, i adoptuari që ka marrë mbiemrin e  adoptuesit e merr mbiemrin e mëparshëm dhe kjo regjistrohet në rubrikën “regjistrimet e mëvonshme”.

 

 

 

Marrja e mbiemrit të mëparshëm pas shkurorëzimit

Neni 22

 

Nëse njëri nga bashkëshortët pas shkëputjes së martesës, shpalljes së saj joekzistuese, ose anulimit të saj e merr mbiemrin e mëparshëm që ka pasur para lidhjes së martesës, Zyrtari i Gjendjes Civile në rubrikën “regjistrime të mëvonshme” dhe në procesverbal cekë se:

 

a.   e ka marrë mbiemrin që ka pasur para lidhjes së martesës (duke cekur mbiemrin)

b.   numri dhe data e procesverbalit

c.   emri i organi para të cilit është dhënë deklarata.

 

 

                    Regjistrimi faktit të lindjes së banorëve jashtë Kosovës

Neni 23

 

23.1. Prindërit të cilët janë banorë të përhershëm të Kosovës mund të regjistrojnë lindjen e fëmijës së tyre lindur jashtë Kosovës në zyrën e gjendjes civile të komunës ku ata kanë banim të përhershëm.

 

23.2. Ky fakt i lindjes së fëmiut jashtë Kosovës nga prindërit që janë banor të Kosovës regjistrohet në bazë të certifikatës së lindjes nga libri amzë i organit të shtetit ku ka ndodhur lindja dhe në rubrikën “vërejtje” shënohet  “regjistrimi është kryer në bazë të certifikatës ndërkombëtare të lëshuar nga shteti”  dhe shtohet:

 

a.   Emri i shtetit që ka lëshuar certifikatën

b.   Organi i atij shteti që ka lëshuar certifikatën

c.   Selia e organit

d.   Numri dhe data e certifikatës

e.   Vendi i lindjes

f.    Data e lindjes dhe adresa

 

23.3. Shënimet nga dokumenti i autoriteteve kompetente jashtë Kosovës regjistrohen në librin e amzës ashtu siç janë të shënuara në dokument pa  marrë parasysh alfabetin që është përdorur.

 

23.4. Kur Zyrtari i Gjendjes Civile është plotësisht i sigurt se si shqiptohet  emri i një vendi apo shteti  në gjuhën tone ai mund ta shënoj shqiptimin fonetik të atij vendi. Psh Östereich-Austria.

 

 

Libri Amzë i të Martuarve

Neni 24

 

24.1. Në librin amzë te të martuarve regjistrohen faktet e lidhjes së martesave si bashkëjetesë ligjore e burrit dhe gruas.

 

24.2.  Martesa duhet të regjistrohet në librin amzë te të martuarve të Zyrës Komunale të Gjendjes Civile aty ku njëri prej bashkëshortëve ka vendbanimin e përhershëm

 

24.3. Të drejtë martese përkatësisht të regjistrimit të faktit të lidhjes së martesës kanë personat madhor të moshës mbi 18 vjet.

 

24.4.  Të drejtë në martesë përkatësisht në regjistrimin e martesës e kanë edhe personat jomadhor nëse paraprakisht këtë ka lejuar organi kompetent me aktvendim të veçantë.

 

24.5. Për të hyrë në martesë është e nevojshme që dy persona të gjinisë të kundërt, në prani të të tjerëve, të shprehin në mënyrë të lirë vullnetin dhe pajtimin e tyre për martesë përpara nëpunësit të gjendjes civile.

 

24.6. Deklarata duhet të jetë absolute dhe e menjëhershme.

 

24.7. Pjesëmarrës gjatë lidhjes së martesës janë nusja, dhëndëri, dy dëshmitarë dhe nëpunësi i gjendjes civile ndërsa te rastet e martesave me shtetas të huaj edhe përkthyesi.

 

24.8. Secili person me aftësi për të vepruar mund të jetë dëshmitar gjatë lidhjes së martesës.

 

24.9. Lidhja e martesës bëhet në Zyrën e Gjendjes Civile në komunë në mënyrë solemne në ambiente të dedikuara për këtë qëllim.

 

24.10. Sipas kërkesës dhe dëshirës së bashkëshortëve lidhja e martesës bëhet edhe në ambiente tjera të preferuara nga ata.

 

24.11. Me rastin e lidhjes së martesës detyrimisht duhet të jen të pranishëm  personat që lidhin martesë dhe dy dëshmitarët.

 

24.12. Martesat e lidhura për interes janë të ndaluara me ligj.

 

 

Kërkesa për lidhjen e martesës

Neni 25

 

25.1. Personat që dëshirojnë të lidhin martesë duhet të paraqesin kërkesë pranë zyrtarit    të gjendjes civile të kuvendit komunal.

 

25.2. Kërkesës për lidhjen e martesës duhet t’i bashkëngjitet certifikata e lindjes, certifikata mbi gjendjen martesore dhe dokumente të tjera të parapara me akt të veçantë.

 

25.3. Zyrtari i gjendjes civile do të vendos mbi datën e lidhjes së martesës në marrëveshje me personat që dëshirojnë të lidhin martesën.

 

25.4. Pas parashtrimit të kërkesës për lidhjen e martesës, Zyrtari i Gjendjes Civile do t’u rekomandojë personave që dëshirojnë të lidhin martesë që deri në ditën e lidhjes së martesës, reciprokisht të informohen lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, të vizitojnë konsulentin familjar për të siguruar mendimin përkitazi me zhvillimin e marrëdhënieve harmonike martesore dhe familjare, të njihen me mundësitë dhe përparësitë e planifikimit të familjes, si dhe të arrijnë pajtimin lidhur me mbiemrin e ardhshëm.

 

25.5. Banorët e Kosovës të cilët jetojnë një kohë të gjatë jashtë Kosovës, për lëshimin e certifikatës së statusit martesor duhet të kërkohet deklarata e dy dëshmitarëve të vërtetuar nga notari në vendin në të cilin jeton ai/ajo.

 

 

 

Detyrimet e Zyrtarit të Gjendjes Civile me rastin e lidhjes së martesës

Neni 26

 

26.1. Zyrtari i gjendjes civile nuk është i autorizuar të refuzojë pëlqimin e bashkëshortëve të ardhshëm, për të lidhur martesë përveç në rastet kur ekzistojnë pengesa martesore.

 

26.2. Zyrtari i Gjendjes Civile duhet me rastin e lidhjes së martesës të krijoj një ambient solemn dhe të qetë.

 

26.3. Lidhja e martesës fillon me raportin e paraqitur nga Zyrtari i Gjendjes Civile, duke treguar prezencën e bashkëshortëve të ardhshëm dhe dëshmitarëve dhe mosekzistimin e pengesave martesore të parapara me Ligj.

 

26.4. Mosekzistimi i pengesave të tilla konstatohet në bazë të dokumenteve të parashtruara, deklaratave të bashkëshortëve të ardhshëm, si dhe deklaratave të dëshmitarëve.

 

26.5. Në rast se zyrtari i gjendjes civile konstaton se nuk ekzistojnë pengesa për lidhjen e martesës, ai i informon bashkëshortët e ardhshëm mbi të drejtat dhe detyrimet e bashkëshortëve në bazë të ligjit për të drejtën familjare.

 

26.6. Pas kësaj Zyrtari i Gjendjes Civile i pyet bashkëshortët e ardhshëm veç e veç nëse pajtohen për martesë me njeri-tjetrin.

 

26.7. Pasi t’i ketë siguruar deklaratat mbi pajtimin për hyrje në martesë, Zyrtari i Gjendjes Civile e shpall martesën të lidhur.

 

 

Shënimet me rastin e lidhjes së martesës në librin amzë

Neni 27

 

27.1.  Në librin amzë për regjistrimin e martesës regjistrohen këto fakte për dhëndrin dhe nusen:

 

a.   Emri dhe mbiemri;

b.   Viti i lindjes;

c.   Numri personal;

d.   Deklarata për mbiemrin për të cilin janë përcaktuar bashkëshortët pas lidhjes së martesës;

e.   Data dhe vendi i lidhjes së martesës;

f.    Vendbanimi dhe adresa e të martuarve;

g.   adresa para lidhjes së martesës;

h.   emri dhe mbiemri i prindërve të  dhëndrit dhe nuses;

i.    emri, mbiemri dhe adresa e dëshmitarëve dhe

j.    emri dhe mbiemri i personit zyrtar para të cilit lidhet martesa.

 

27.2. Gjithashtu si shënime plotësuese shënohen:

 

a.   zgjidhja e martesës

b.   vdekja e njërit bashkëshort

c.   shpallja e martesës e pa qenë

 

27.3. Nëse me rastin e lidhjes së martesës ka marrë pjesë edhe përkthyesi  në rubrikën “vërejtje” shënohen edhe të dhënat e tij.

 

27.4. Me rastin e lidhjes së martesës bashkëshorti i cili është pajtuar që të ndërroj mbiemrin, Zyrtari i Gjendjes Civile në rubrikën “deklarata e bashkëshortit  për ndërrim të mbiemrit” e shënon deklaratën e tij/saj.

 

27.5. Bashkëshorti i cili ka ndërruar mbiemrin regjistrimin e martesës e nënshkruan me   mbiemrin e ri.

 

27.6. Zyrtari i Gjendjes Civile  e regjistron lidhjen e martesës në librin amzë te të martuarve dhe në të  njëjtin libër nënshkruhen  bashkëshortët, dy dëshmitarët dhe Zyrtari i Gjendjes Civile.

 

27.7. Pas lidhjes së martesës, bashkëshortëve u lëshohet certifikata nga Libri amzë i të martuarve. 

 

 

 

Refuzimi  për lidhjen e martesës nga ana e Zyrtarit të Gjendjes Civile

Neni 28

 

28.1. Kur Zyrtari i Gjendjes Civile konstaton ekzistimin e çfarëdo pengese martesore, ai informon gojarisht parashtruesit e kërkesës se nuk mund të lidhin martesë dhe harton procesverbalin lidhur me çështjen.

 

28.2. Në procesverbal Zyrtari i Gjendjes Civile shënon:

 

a.   arsyen e refuzimit për  lidhjen e martesës,

b.   pengesën për të cilën refuzohet lidhja e martesës