| Ligji Nr.2004/4 PËR SHËNDETËSI |
| e premte . 31 gusht 2007 | |
Ligji Nr.2004/4 PËR SHËNDETËSI
Kuvendi i Kosovës,
Në bazë të kompetencave të dhëna Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse në Kosovë nga Administrata e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara Misioni në Kosovë (UNMIK) me Rregulloren Nr. 2001/9 të datës 15 maj 2001,”Mbi Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme në Kosovë”;
Duke u mbështetur në Aneksin VI të Rregullores së UNMIK-ut Nr. 2002/5 mbi themelimin e Ministrisë së Shëndetësisë;
Duke e patur parasysh Strategjinë shëndetësore të Kosovës, shkurt 2001; Me qëllim të vënjes së bazës ligjore për rregullimin, përparimin dhe përmirësimin e gjendjes shëndetësorëe me pikësynim kujdesin e shëndetit të banorëve të Kosovës,
miraton si vijon:
LIGJI PËR SHËNDETËSI
Kapitulli I PËRKUFIZIMET
Neni 1
Për qëllimet e këtij Ligji termet si vijojnë kanë këto kuptime:
a). Banor i Kosovës: banor i përhershëm i Kosovës apo personi i cili plotëson kushtet juridike për t’u regjistruar si banor i përhershëm i Kosovës.
b).Pacienti: personi i cili i shfrytëzon shërbimet shëndetësore;
c).Punëtori shëndetësor: profesionisti shëndetësor, nga neni 86 i këtij ligji i cili është i licencuar për ushtrimin e pavarur të veprimtarisë shëndetësore;
d).Kujdesi shëndetësor:masat dhe veprimet qё ndёrmerren nga Institucionet shёndetёsore, punёtorёt shёndetёsorё dhe banorët tё cilat kanё pёr qёllim pёrparimin e pёrgjithshёm tё mirёqenjes fizike, mendore dhe sociale tё banorëve;
e).Veprimtaria shëndetësore: të gjitha veprimtaritё që kanë për qëllim:
-Përparimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve dhe të lëndimeve, mjekimin, diagnostikimin, shërimin dhe rehabilitimin shëndetësor të banorëve;
-Sigurimin e produkteve dhe pajisjeve mjekësore;
-Shërbimet e transportit të banorëve për qëllime mjekësore me automjete sanitare;
-Shërbimet gjinekologjike obstetrike; procedurat e veçanta me qëllim të shumimit njerëzor, sterilizimin e indukuar, si dhe
-Hulumtimet mjekësore të kryera në njerëz;
f).Institucioni shëndetësor: institucioni i themeluar nga personi juridik dhe fizik, pa marrë parasysh formën e pronësisë dhe organi mbikëqyrës, që është i autorizuar të ofrojë shërbime të kujdesit shëndetësor me licencën e punës, të lëshuar nga autoriteti shëndetësor;
g).Fshehtësia profesionale: ruajtja e të dhënave për gjendjen shëndetësore të pacientit, nga personat e paautorizuar;
h).Anëtarë i ngushtë i familjes: partneri bashkëshortorë, prindërit, fëmijët, fëmiu i partnerit bashkëshortorë, vëllau, motra, njerka ose njerku;
i).Autoriteti shëndetësor: organi kompetent i Ministrisë së Shëndetësisë dhe i Drejtorisë Komunale për Shëndetësi;
j).Emergjenca:ndryshimi i përnjëhershëm i gjendjes shëndetësore, që në rast mungese shërbimi të shpejtë shëndetësor, rrezikon jetën, dëmton seriozisht ose në mënyrë të përhershme shëndetin e banorit;
k).Trajtimi mjekësor: procedura fizike, kimike, biologjike ose psikologjike që shërben për parandalimin, diagnostikimin, mjekimin, shërimin, rehabilitimin dhe qëllimet e tjera që rezultojnë ose mund të rezultojnë me ndryshime në organizmin e pacientit dhe banorëve;
l).Dokumentacioni shëndetësor: dorëshkrimet, shënimet ose të dhënat tjera, pa marrë parasysh faktin se kush ose në çfarë mёnyre i mbledh, në të cilat ka qasje punëtori shëndetësor gjatë ofrimit të shërbimeve shëndetësore, që përmbajnë të dhëna për identitetin personal të banorit;
m).Specializim: kualifikimi profesional i fituar gjatë edukimit specialistik pas diplomimit në kuadër të nivelit parësor, dytësor dhe tretësor të kujdesit shëndetësor, të kryer në Kosovë, ose jashtë Kosovës të njohur dhe të nostrifikuar nga organi kompetent i Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës;
n).Gjendje e jashtëzakonshme: çdo lloj ngjarje e papritur që rrezikon jetën, integritetin fizik dhe shëndetin e banorëve ose funksionimin e institucioneve shëndetësore, duke i dëmtuar ato deri në nivel të dallimit të madh ndërmjet nevojave për kujdesin shëndetësor dhe mundësive në dispozicion;
o).Themeluesi: Kuvendi i Kosovës,Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Komunës, si dhe personat fizikë dhe juridikë, vendorë dhe ndërkombëtarë të cilët kanë të drejtë të themelojnë institucionin shëndetësor në pajtim me këtë ligj;
p).Shërbimi profesional: organizim administrativ dhe profesional i institucioneve shëndetësore publike dhe private, në të gjitha nivelet e të kujdesit shëndetësorë;
q).Shtёpia pёr integrim nё bashkёsi: institucion shëndetësor që ofron kujdes shëndetësorë të bazuar në bashkësi për të sëmurët kronik psikiatrik, gjatë 24 orëve;
r).Lista esenciale: lista e produkteve mjekёsore dhe materialet harxhuese sanitare qё blehen për nevojat e të gjitha niveleve të kujdesit shëndetësor nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës;
s).Institucioni shëndetësor humanitar: institucioni shëndetësor i themeluar nga organizata joqeveritare dhe joprofitabile me seli në Kosovë që është e autorizuar për veprimtari shëndetësore;
t).Sterilizimi artificial: procedura mjekësore që ka për qёllim humbjen e aftësisë së lindjes ose aftësisë së mbarësimit;
u).Klonimi i njeriut : metodё e prodhimit tё pasardhёsve tё njeriut nё mёnyrё tё panatyrshme;
v).Instituti:institucioni ku pёrveç veprimtarisё shёndetёsore zbatohet edhe veprimtaria arsimore, edukuese dhe shkencore;
w).Mjekësia familjare:formё themelore e ofrimit tё shёrbimeve gjithpёrfshirёse shёndetёsore, nё nivelin parёsor tё kujdesit shёndetёsorё, pёr individёt dhe familjet e tyre.
Kapitulli II DISPOZITAT THEMELORE
Neni 2
Me këtë ligj përcaktohet sistemi i kujdesit, i veprimtarisë dhe i financimit shëndetësor në Kosovë.
Neni 3
Kujdesi shëndetësor në Kosovë zbatohet në nivel parësor, dytësor dhe tretësor.
Neni 4
Kujdesi shëndetësor sigurohet me ushtrimin e veprimtarisë së institucioneve shëndetësore dhe të punëtorëve shëndetësorë.
Neni 5
Kujdesi shëndetësorë sigurohet me organizimin dhe zbatimin e veprimtarisë shëndetësore në institucionet shëndetësore të sektorit publik, privat dhe miks.
Neni 6
6.1.Veprimtaria shëndetësore organizohet me qëllim të sigurimit të kujdesit të përshtatshëm dhe të suksesshëm shëndetësor për banorët, në kushte normale dhe në rrethana dhe gjendje të jashtëzakonshme. 6.2.Veprimtaria shëndetësore siguron kujdesin shëndetësor për banorët nëpërmjet zbatimit të masave dhe të metodave bashkëkohore të shkencës së mjekësisë dhe të shkencave të lidhura me të, si dhe nëpërmjet ndjekjes së vazhdueshme të rezultateve të tyre. Neni 7
7.1.Të gjithë banorët dhe të gjitha komunitetet e Kosovës duhet të kenë qasje në sistemin e kujdesit shëndetësor.
7.2.Sigurimi shëndetësor realizohet në formë sigurimi shëndetësor themelor, e privat, dhe zbatohet në formë sigurimi të detyrueshëm dhe vullnetar në agjencione të sigurimeve shëndetësore dhe në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Neni 8
Veprimtaria shëndetësore është veprimtari me interes të veçantë shoqëror.
Neni 9
Sistemi shëndetësor siguron dhe zbaton sistemin unik informativ shëndetësor.
Neni 10
Veprimtaria shëndetësore i nënshtrohet mbikëqyrjes ligjore dhe profesionale që e siguron Ministria e Shëndetësisë.
Neni 11
11.1.Institucionet shëndetësore, personat juridikë dhe banorët e Kosovës në kuadër të të drejtave dhe detyrimeve të tyre kujdesen për sigurimin dhe përparimin e kushteve për zbatimin e kujdesit shëndetësor të banorëve.
11.2. Banorët kanë të drejtë dhe detyrim që t’u përmbahen masave të kujdesit shëndetësor dhe të marrin pjesë në zbatimin e tyre.
Kapitulli III PARIMET E KUJDESIT SHËNDETËSORË Neni 12
12.1.Kujdesi shëndetësor zbatohet duke u udhëhequr nga parimet vijuese:
a) Barazia; b) Cilësia; c) Ndershmëria dhe përgjegjësia; d) Gjithëpërfshirja dhe jo diskriminimi; e) Financimi i qёndrueshёm; f) Financimi kosto-efektiv; g) Bashkëfinancimi.
12.2.Barazia:
a). Trajtimi korrekt i banorëve bazuar në ligj dhe rrespektimi i plotë i të drejtave dhe i lirive themelore të njeriut, të përcaktuara me konventa ndërkombëtare;
b). Sigurimi i qasjes së plotë të kujdesit shëndetësor në të gjitha nivelet dhe për të gjithë banorët, duke siguruar për personat me aftësi të kufizuara, një qasje të lehtë fizike të kujdesit shëndetësor;
c). Shpërndarja e drejtë e burimeve të kujdesit shëndetësor duke u bazuar në gjendjen ekonomike dhe sociale të banorëve. 12.3.Cilësia: aplikimi i standardeve ndërkombëtare në procesin e organizimit dhe zhvillimit të burimeve të kujdesit shëndetësor në punë, trajnim dhe edukim, licencim, udhëzime etike dhe në mbrojtje të shfrytëzuesve të shërbimeve.
12.4.Ndershmëria dhe përgjegjësia: Përdorimi i ndershëm dhe me përgjegjësi i mjeteve financiare publike, si dhe ushtrimi transparent i kompetencave gjatë zbatimit të kujdesit shëndetësor.
12.5.Gjithëpërfshirja dhe jo diskriminimi: Kujdes shëndetësor i barabartë për të gjithë banorët duke siguruar standardet gjatë përmbushjes së kërkesave në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetsor, si dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor pa diskriminim në bazë të gjinisë, kombit, racës, ngjyrës, gjuhës, fesë, bindjeve politike gjendjes sociale, statusit pronësor, shkallës së aftësive fizike dhe mendore, statusit familjar dhe moshës.
12.6.Financimi i qёndrueshёm: Parandalimi i rrezikut financiar për banorët gjatë shfrytëzimit të shërbimeve shëndetësore dhe sigurimi i financimit të qëndrueshëm të kujdesit shëndetësor.
12.7.Financimi/kosto-efektiv:
a).Mbështetje financiare me sigurim të modalitetit të kombinuar përmes buxhetit të Kosovës dhe buxheteve të komunave, pagesave të banorëve dhe punëdhënësve në Fondin e sigurimeve shëndetësore dhe agjensionet e tjera të sigurimeve, duke u bazuar në parimin e reciprocitetit dhe solidaritetit, si dhe pagesave të drejtëpërdrejta të banorëve gjatë shfrytëzimit të kujdesit shëndetësor;
b).Shfrytëzimi racional dhe efikas i burimeve, mbikëqyrja, dhe kontraktimi i shërbimeve si model themelor i marëdhënieve financiare.
12.8.Bashkëfinancimi: Parandalimi i shfrytёzimit tё panevojshёm tё shёrbimeve shёndetёsore dhe pёrkrahja e sistemit tё referimit.
Neni 13
Institucionet e Kosovës, personat juridikë, banorët, institucionet shëndetësore, punëtorët shëndetësorë, në kuadër të të drejtave dhe detyrimeve të tyre marrin masat e nevojshme për sigurimin dhe zbatimin e parimeve të kujdesit shëndetësor.
Neni 14
Kuvendi i Kosovёs nё propozim tё Qeverisё miraton politika zhvillimore nё shёndetёsi.
Neni 15
Qeveria e Kosovës, merr të gjitha masat të përcaktuara me ligj për sigurimin dhe ekzekutimin e veprimeve të duhura me qëllim zbatimi dhe mbrojtjeje të të drejtave të banorëve si shfrytëzues të kujdesit shëndetësor.
Neni 16
Qeveria udhëheqë dhe zbaton politikat e kujdesit shëndetësorë përmes Ministrisë së Shëndetësisë.
Neni 17
17.1.Ministria e Shëndetësisë, harton dhe zbaton politikat e kujdesit shëndetësor përmes krijimit të kushteve sistemore, si vijon:
a) Krijimit të politikës dhe zbatimit të ligjeve të një sistemi jodiskriminues dhe të përgjegjshëm për kujdesin shëndetësor;
b) Koordinimit të aktiviteteve në sektorin e shëndetësisë për të promovuar zhvillimin koherent të politikës shëndetësore;
c) Vendosjes së normave dhe standardeve, si dhe nxjerrjes së udhëzimeve administrative për sektorin e shëndetësisë, duke i respektuar standardet relevante ndërkombëtare;
d) Mbikëqyrjes së zbatimit të këtyre standardeve, përfshirë edhe inspektimin dhe shërbimet e tjera, sipas nevojës;
e) Ndjekjes së situatës, dhe zbatimit të masave adekuate për parandalimin, identifikimin dhe kontrollimin e problemeve në lëmin e shëndetësisë;
f) Menaxhimit të shfrytëzimit dhe zhvillimit të infrastrukturës që ndërlidhet me kujdesin shëndetësor, nën përgjegjësinë e kësaj Ministrie;
g) Përkrahjes së pjesëmarrjes, iniciativave dhe zhvillimit të aktiviteteve të banorëve që ndërlidhen me shëndetin;
h) Pjesëmarrjes në zhvillimin dhe zbatimin e fushatës për informim publik dhe projektet e tjera promovuese, me qëllim të rritjes së shkallës së vetëdijes publike dhe pajtueshmërisë me standardet shëndetësore;
i) Përkrahjes së zhvillimit të arsimimit shëndetësor me qëllim të ngritjes së njohurive në lëmin e shëndetësisë;
j) Mbikëqyrjes së shërbimeve të kontrollit të cilësisë së ushqimit dhe të lëndëve të para bujqësore me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve, në bashkëpunim me Ministrinë, që rregullon sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe të zhvillimit rural.
17.2.Ministria e Shëndetësisë, sipas nevojës mund të formojë komisione dhe këshilla profesionale për çështje dhe lëmi të caktuara.
17.3.Përbërja dhe detyrat e komisioneve dhe këshillave profesionale përcaktohen me vendim të Ministrit.
Neni 18
18.1.Komunat sigurojnë zbatimin e kujdesit shëndetësor parësor duke i dhënë përparësi zbatimit të masave parandaluese nëpërmjet zbatimit të konceptit të mjekësisë familjare.
18.2.Në komunat ku zbatimi i kujdesit parësor shëndetësor nuk zhvillohet në pajtim me normat dhe standardet e përcaktuara, Ministria e Shëndetësisë merr masa e duhura për sigurimin e nivelit të domosdoshëm të kujdesit parësor shëndetësor.
Kapitulli IV TË DREJTAT DHE PËRGJEGJËSITË E BANORËVE Neni 19
19.1.Çdo banor:
a) Duhet të ruajë dhe të përparojë shëndetin personal dhe kolektiv;
b) Duhet të rrespektojë të drejtën e tjetrit që është e lidhur me ruajtjen dhe përparimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve si dhe me rehabilitimin pas tyre;
c) Ka të drejtë të sigurojë informata të cilat i mundësojnë ngritjen e aftësive për përparimin dhe përmirësimin e shëndetit, si dhe për të marrë vendime lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin e tij, në bazë të të dhënave adekuate;
d) Ka të drejtë që të sigurojë informata lidhur me veçoritë e shërbimeve shëndetësore nga ofruesit e shërbimeve shëndetësore, qasjen ndaj tyre, mënyrën e shfrytëzimit, si dhe mbi të drejtat e banorëve sa i përket kujdesit shëndetësor, dhe mënyrës se si ato mund të realizohen;
e) Ka të drejtë përdorimi të gjuhës së tij ose të gjuhës së shenjave;
f) Ka të drejtë në sigurimin e ruajtjes së fshehtësisë profesionale nga ana e punëtorit shëndetësor;
g) Është i detyruar që në hapësirat e institucioneve publike t’u shmanget mënyrave të sjelljes dhe të aktiviteteve për të cilat, në bazë të të dhënave shkencore, dihet mirë se janë të rrezikshme për shëndetin e të tjerëve;
h) Është i detyruar të ofrojë ndihmë, brenda mundësive të tij, dhe të njoftojë ofruesin kompetent të shërbimeve shëndetësore në rast se zbulon një gjendje të emergjencës, ose në rast ka dijeni për këtë;
i) Është i detyruar të mbështesë sistemin financiar të kujdesit shëndetësor pranë institucionit përkatës, në pajtim me Ligjin.
19.2.Çështjet lidhur me trajtimin dhe ose hospitalizimin e dhunshëm të pacientëve rregullohen me akt të veçantë ligjor.
Pjesëmarrja e banorëve në procesin e zbatimit të shërbimeve shëndetësore Neni 20
20.1. Banorët, në mënyrë të organizuar, nëpërmjet shoqatave ose individëve të emëruar, marrin pjesë aktive në krijimin e kushteve më të favorshme për zbatimin e veprimtarisë shëndetësore dhe realizimin e të drejtave të tyre në kuadër të kësaj veprimtarie.
20.2.Realizimi i kësaj pjesëmarrjeje bëhet në pajtim me ligjin dhe aktet përcjellëse nënligjore.
Neni 21
Të drejtat dhe detyrimet e banorëve sa i përket kujdesit shëndetësor rregullohen me akt të veçantë ligjor.
Kapitulli V KUJDESI SHËNDETËSOR
Neni 22
22.1.Kujdesi shëndetësor nga neni 23 i këtij Ligji sigurohet falas në institucionet publike shёndetёsore për grupe të posaçme të popullatës si vijon:
a) Fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 15 vjeçare; b) Nxënësit dhe studentët deri në fund të shkollimit të rregullt; c) Banorët mbi moshën 65 vjeçare;
d) Anëtarët e familjes së ngushtë të atyre që kanë vdekur si pasojë e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe invalidët e luftës e anëtarët e familjes së ngushtë të tyre dhe shfrytëzuesit e skemave sociale për ndihmë të përgjithshme sociale dhe anëtarët e familjes së ngushtë të tyre;
22.2. Format e kujdesit shëndetësor që sigurohen dhe zbatohen, falas nё institucionet publike shёndetёsore janë si vijon:
a) Kujdesi shëndetësor parandalues:
i. zbulimi i hershëm i sëmundjeve ngjitëse dhe zbatimi i detyrueshëm i imunizimit,
ii. sigurimi i kushteve për grumbullimin e gjakut dhe krijimin e rezervave të gjakut,
iii. zbulimi i hershëm dhe trajtimi adekuat i sëmundjeve që shkaktojnë zvogëlimin e aftësive fizike dhe mendore,
iv. masat e tjera nga nenet 34 deri 37 të këtij Ligji;
b) Kujdesi shëndetësor riprodhues, që përfshin kujdesin shёndetёsor gjatё shtatzёnisё, lindjes dhe lehonisё, si dhe metodat e planifikimit tё familjes pёrveç ndёrprerjes sё dhunshme tё shtatzёnisё;
c) Kujdesi shëndetësor për pacientët të cilët lëngojnë nga sëmundjet, çrregullimet dhe lëndimet të cilat e rrezikojnë seriozisht ose e vështirësojnë jetën e tyre, të cilat do të rregullohen me akt të veçantë nënligjor;
d) Kujdesi shëndetësor rehabilitues i integruar në tri nivelet e kujdesit shëndetësor për sëmundjet dhe lëndimet e përcaktuara me akt të veçantë nënligjor;
e) Kujdesi shëndetësor në kushte spitalore për banorin në stadin terminal duhet të ofrohet në shtëpinë e banorin nga ana e qendrës së mjekësisë familjare.
Neni 23
Kujdesi shëndetësor nga neni 22 i këtij ligji zbatohet nëpërmjet:
a) Përparimit të mënyrës së shëndoshë të jetesës, edukimit të organizuar shëndetësor, me qëllim të ngritjes së kulturës shëndetësore të banorëve;
b) Përmirësimit të kushteve jetësore dhe të punës së banorëve;
c) Zbulimit të hershëm dhe trajtimit me kohë të sëmundjeve ngjitëse duke evituar rrethanat të cilat kanë mundësuar shfaqjen e epidemive;
d) Zbulimit të hershëm dhe trajtimit me kohë të sëmundjeve akute dhe kronike;
e) Parandalimi dhe zbulimi i hershëm i sëmundjeve malinje;
f) Parandalimit dhe trajtimit me kohë të lëndimeve në punë dhe të sëmundjeve profesionale;
g) Parandalimit dhe trajtimit të sëmundjeve të vartësisë dhe infeksionit me HIV;
h) Sigurimit të furnizimit me barna esenciale, ndihmesa orto-protetike, ndihmesa protetike-stomatologjike si dhe mjete të tjera ndihmëse mjekësore, të përcaktuara në regjistrin zyrtar;
i) Rehabilitimit dhe resocializimit të sëmurëve kronikë mendorë në bashkësi;
j) Sigurimit të kushteve të duhura për fillimin e shëndoshë të jetesës dhe zhvillimin e shëndoshë të fëmijëve, rinjëve, shtatëzënave dhe lehonave;
k) Ndërmarrjen e masave për eleminimin e pasojave shëndetësore të shkaktuara nga fatkeqësitë elementare dhe nga gjendjet e tjera të jashtëzakonshme;
l) Organizimi i shërbimit emergjent;
m) Zbatimit të sistemit unik informativ në shëndetësi;
n) Organizimit dhe zbatimit të mbikëqyrjes profesionale dhe juridike;
o) Zbatimit të aktiviteteve në grumbullimin vullnetar të gjakut;
p) Ndërmarrjes së masave në lidhje me mbrojtjen nga rrezatimet radioaktive;
q) Zhvillimit të burimeve institucionale dhe njerëzore në shëndetësi;
r) Parandalimin e anomalive kongjinitale;
s) Ndërmarrjes së masave të tjera për përparimin e gjendjes shëndetësore të banorëve.
Neni 24
24.1.Institucionet shëndetësore që janë në marrëdhënie kontraktuese me Fondin e sigurimeve shëndetësore nga neni 57.1.c, sigurojnë barnat nga lista esenciale.
24.2.Listën esenciale të barnave e përcakton Fondi i sigurimeve shëndetësore me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë.
24.3.Barnat në çdo nivel të kujdesit shëndetësor duhet të përshkruhen me emërtime ndërkombëtare të pambrojtura. Përjashtim bëjnë preparatet e kombinuara dhe preparatet me lirim të ngadalshëm të substancës aktive, të cilat përshkruhen me emra të mbrojtur nga fabrika farmaceutike.
24.4.Barnat nga lista esenciale pёrshkruhen nё recetё vetёm nga ana e mjekut tё shёrbimit tё mjekёsisё familjare.
24.5.Barnat në barnatore jipen vetëm nga ana e farmacistit.
24.6.Çështjet lidhur me narkotikët dhe substancat psikotrope rregullohen me Ligj të veçantë dhe Ligjin për Produkte Mjekësore dhe Paisje Mjekësore.
24.7.Çështjet lidhur me derivatet e gjakut dhe të plazmës së njeriut rregullohen me Ligjin për Produkte Mjekësore dhe Paisje Mjekësore dhe me akt të veçantë nënligjor të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë
Standardet e kujdesit shëndetësor Neni 25
25.1.Në zbatimin e kujdesit shëndetësor institucionet shëndetësore, punëtorët shëndetësorë, personat juridikë dhe banorët brenda të drejtave dhe detyrimeve të tyre duhet të ndërmarrin masat e nevojshme për sigurimin e standardeve cilësore dhe sasiore të kujdesit shëndetësor.
25.2.Standardet cilësore të kujdesit shëndetësor janë:
a) Përparimi i mënyrës së shëndoshë të jetesës; b) Përmirësimi i shëndetit në përgjithësi; c) Përparimi i shëndetit të fëmijëve, të rinjve dhe të të moshuarve; d) Përparimi i shëndetit riprodhues e) Përparimi i shëndetit mendor; f) Parandalimi i sëmundjeve ngjitëse dhe i sëmundjeve jongjitëse kronike; g) Rehabilitimi psikofizik i banorëve; h) Zhvillimi i burimeve njerëzore dhe institucionale; i) Përmirësimi i shëndetit të personave me aftësi të kufizuara; j) Zbulimi i hershëm i sëmundjeve malinje dhe parandalimi i tyre;
25.3.Standardet sasiore të kujdesit shëndetësor janë:
a) Rritja e mesatares së jetëgjatësisë; b) Zvogëlimi i vdekshmërisë të foshnjeve dhe të nënave; c) Zvogëlimi i sëmundshmërisë së përgjithshme dhe asaj specifike; d) Zvogëlimi i shkallës së traumave; e)Zvogëlimi i mungesave nga puna për shkak të sëmundjeve ose të lëndimeve.
25.4. Sistemi i menaxhimit tё cilёsisё sё kujdesit shёndetёsor pёrcaktohet me akt nёnligjor tё nxjerrё nga Ministria e Shёndetёsisё.
Kapitulli VI ORGANIZIMI DHE ZBATIMI I KUJDESIT SHËNDETËSOR
Neni 26
Kujdesi shëndetësor i banorëve sigurohet në kuadër të sistemit unik, të lidhur të veprimtarisë shëndetësore, nëpërmjet zbatimit të masave parandaluese, mjekuese, shëruese dhe rehabilituese shëndetësore.
Neni 27
27.1.Kujdesi shëndetësor organizohet në nivelin:
a) Parësor, b) Dytësor dhe c) Tretësor.
27.2.Ndarja e aktiviteteve ndërmjet niveleve të kujdesit shëndetësor realizohet në pajtim me strategjinë shëndetësore dhe politikat e bazuara në burimet ekzistuese.
27.3.Kujdesi shëndetësor nga paragrafi 27.1 i këtij neni sigurohet gjatë 24 orëve, pa ndërprerje, duke organizuar punën në ndërrime dhe në sistemin e kujdestarive.
27.4.Në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor zbatohet aftësimi i vazhdueshëm profesional.
27.5.Në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor sigurohen barnat nga lista esenciale dhe mjetet e tjera ndihmëse mjekësore, të evidentuara në regjistrin zyrtar.
Kujdesi parësor shëndetësor Neni 28
28.1.Komunat janë përgjegjëse për sigurimin e ofrimit të kujdesit parësor shëndetësor si dhe ndjekjen e gjendjes shëndetësore të banorëve në territorin e tyre.
28.2.Komunat, në ofrimin e kujdesit parësor shëndetësor, zbatojnë me përparësi masat parandaluese të kujdesit shëndetësor.
28.3.Kujdesi parësor shëndetësor zbatohet përmes shërbimeve të mjekësisë familjare.
28.4.Kujdesi parësor shëndetësor përfshin:
a) Përparimin, parandalimin, mjekimin, shërimin dhe rehabilitimin që kanë të bëjnë me sëmundjet, çrregullimet dhe me lëndimet;
b) Edukimin shëndetësor, imunizimin dhe vaksinimin;
c) Përcaktimin e diagnozës fillestare dhe kujdesin elementar shëndetësor përfshirë edhe ndërhyrjet e vogla kirurgjike;
d) Promovimin e shëndetit oral dhe kujdesin themelor stomatologjik;
e) Kujdesin për shëndetin mendor të bazuar në bashkësi;
f) Rehabilitimin e bazuar në bashkësi;
g) Sigurimin e ujit dhe ushqimit cilësor.
Neni 29
29.1.Kujdesi parësor shëndetësor sigurohet dhe zbatohet nga ekipi i mjekësisë familjare i përbërë nga punëtorët shëndetësorë si vijon:
a) doktori i mjekësisë; b) doktori i stomatologjisë; c) specialisti i mjekësisë familjare; d) magjistri i farmacisë; e) pediatri; f) gjinekologu-obstetër; g) specialisti i biokimisë klinike; h) infermierët, mamitë si dhe fizioterapeutët dhe teknikët mjekësor nga neni 86.
29.2.Punëtorët në kujdesin parësor shëndetësor bashkëpunojnë me punëtorët shëndetësorë në nivelin dytësor dhe tretësor të kujdesit shëndetësor në mënyrë të përcaktuar me akt të veçantë nënligjor.
29.3.Standardet e organizimit dhe të funksionimit të shërbimit të mjekësisë familjare në komuna përcaktohen me akt nënligjor të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë.
Kujdesi dytësor shëndetësor Neni 30
30.1.Kujdesi dytësor shëndetësor përfshin:
a) Kujdesin shëndetësor jashtë spitalor: diagnostik, terapeutik dhe rehabilitues; b) Kujdesin shëndetësor spitalor gjatë 24 orëve: diagnostik, terapeutik dhe rehabilitues; c) Edukimin shëndetësor të pacientëve; d) Përkrahjen profesionale për nivelin e kujdesit parësor shëndetësor;
30.2.Organizimi, funksionimi dhe veprimtaria e shërbimeve të kujdesit dytësor shëndetësor jashtë spitalor dhe spitalor përcaktohen me akte të veçanta nën-ligjore të nxjerra nga Ministria e Shëndetësisë.
Kujdesi tretësor shëndetësor Neni 31
31.1.Kujdesi tretёsor shёndetёsor pёrfshin shёrbimet specialistike qё ofrohen nё institucionet shёndetёsore tё autorizuara nga Ministria e Shёndetёsisё ku zhvillohet procesi mёsimor universitar, puna kёrkimore-shkencore dhe edukimi specialistik pasdiplomik.
31.2.Organizimi dhe funksionimi i institucioneve tё kujdesit tretёsor shёndetёsor pёrcaktohet me akt nёnligjor tё nxjerrё nga Ministria e Shёndetёsisё dhe Ministria e Arsimit, Shkencёs dhe Teknologjisё.
31.3.Shfrytëzimi i shërbimeve të kujdesit tretësor shëndetësor të cilat nuk mund të sigurohen brenda sistemit të shëndetësisë së Kosovës sigurohen dhe rregullohen me akt nënligjor të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë.
Neni 32
Kujdesin parësor, dytësor dhe tretësor shëndetësor, me aktivitete trajnuese dhe arsimore e pёrkrahin institucionet shёndetёsore nga neni 31.1 i kёtij Ligji.
Format e veçanta të kujdesit shëndetësor Sektori farmaceutik Neni 33
Furnizimi, depoimi, shpërndarja dhe disperzimi i barnave nga lista esenciale dhe mjeteve të tjera ndihmëse mjekësore të evidentuara në rregistrin zyrtar rregullohet me akt të veçantë nënligjor.
Shëndetësia publike Neni 34
Shëndetësia publike është prioritet i lartë i veprimtarisë shëndetësore dhe aktivitet i organizuar i shoqërisë në tërësi, që ka për qëllim përmirësimin e gjendjes shëndetësore të popullatës përmes përparimit të shëndetit dhe mënyrës së shëndoshë të jetesës, edukimit shëndetësorë marrjes së masave kundër epidemive si dhe parandalimit të sëmundjeve, të çrregullimeve, dhe të lëndimeve.
Neni 35
Organizimi dhe zbatimi i imunizimit si një ndër masat themelore të kujdesit ndaj shëndetit publik, përcaktohen në akt nënligjor të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë.
Neni 36
Rregullat e veprimtarisë së shëndetësisë publike, përcaktohen me akt nënligjor të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, në propozim të Ministrisë të Shëndetësisë.
Mjekësia e punës Neni 37
37.1.Kujdesi specifik shëndetësor për punëtorë përfshin shërbimet që krijojnë dhe sigurojnë kushtet optimale në mjedisin e punës me qëllim të ruajtjes së shëndetit fizik dhe mendor të të punësuarve.
37.2.Themelimi, organizimi dhe veprimtaria e Shërbimit profesional të mjekësisë së punës përcaktohen me akt nënligjor të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë.
Mjekësia e sportit Neni 38
38.1.Mjekësia e sportit është formë e organizimit të kujdesit shëndetësor që veprimtarinë e saj e zbaton nëpërmjet përkujdesjes për gjendjen shëndetësore të sportistëve aktivë si dhe të banorëve, të cilët merren në mënyrë rekreative me sport.
38.2.Kujdesi specifik shëndetësor në lëmin e mjekësisë së sportit zbatohet në kuadër të Shërbimit të mjekësisë së sportit.
38.3.Themelimi, organizimi dhe veprimtaria e Shërbimit të mjekësisë së sportit përcaktohen me akt nënligjor të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë.
Trajtimi shëndetësor jokonvencional Neni 39
39.1. Ndalohet trajtimi dhe reklamimi i trajtimit shёndetёsor jokonvencional, qё nё bazё tё vlerёsimit nga institucioni pёrkatёs nga neni 31.1 nuk ёshtё i bazuar nё faktet e shkencёs sё mjekёsisё bashkёkohore.
39.2.Fusha e trajtimeve, kushtet dhe mënyra e përdorimit të metodave jokonvencionale terapeutike përcaktohen në akt të veçantë nënligjor të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë.
Kapitulli VII THEMELIMI DHE ORGANIZIMI I INSTITUCIONEVE SHËNDETËSORE
Plani i rrjetit të institucioneve publike shëndetësore dhe themelimi i institucionit shëndetësor
Neni 40
40.1.Veprimtarinë e kujdesit shëndetësor e zbatojnë institucionet shëndetësore.
40.2.Me qëllim të sigurimit të kujdesit shëndetësor për banorët në territorin e Kosovës, institucionet shëndetësore mund t’i themelojnë:
a) Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës, Ministria e Shёndetёsisё, Kuvendi i Komunës, dhe personat juridikë vendorë në pajtim me këtë Ligj dhe Planin e rrjetit të institucioneve publike shëndetësore;
b) Personat fizikë dhe juridikë, vendorë dhe të huaj, në pajtim me këtë Ligj dhe rregullativën për veprimtarinë private në shëndetësi.
40.3. Rregullativёn ligjore nga paragrafi paraprak e miraton Kuvendi i Kosovёs.
Neni 41
Me përcaktimet e Planit të rrjetit të institucioneve publike shëndetësore përfshihen institucionet publike shëndetësore me veprimtarinë e të cilave sigurohet realizimi i të gjitha të drejtave të banorëve të përcaktuara me ligj si dhe kujdesi shëndetësor i siguruar në nenet 22 dhe 23 të këtij ligji.
Neni 42
Plani përmban numrin dhe kapacitetin e institucioneve shëndetësore, të harmonizuara me standarde dhe emërtime.
Neni 43
Përpilimi i Planit të rrjetit të institucioneve publike shëndetësore nga neni 40 paragrafi 40.2 pika (a) bazohet në rrespektim të:
a) Gjendjes shëndetësore, moshës, gjinisë dhe pozitës sociale të banorëve; b) Kushteve dhe mundësive në ofrimin e kujdesit shëndetësor; c) Kushteve ekonomike; d) Kushteve teknologjike-mjekësore; e) Distancës dhe konfiguracionit gjeografik; f) Strukturës dhe përbërjes së institucioneve shëndetësore; g) Organizimit të sigurimit shëndetësor;
Neni 44
Aktin e themelimit të institucionit shëndetësor nga neni 43 e nxjerr Ministria e Shëndetësisë.
Neni 45
Institucioni shëndetësor mund të themelohet në bazë të të gjitha formave të pronësisë në pajtim me këtë Ligj, Planin e rrjetit të institucioneve publike shëndetësore dhe Ligjin pёr veprimtarinë private në kujdesin shëndetësor.
Neni 46
Veprimtaria private shëndetësore nuk lejohet në këto lëmi:
a) Frytnimi artificial, në rastet kur dhuruesi është person i panjohur për çiftin;
b) Përcaktimi i atësisë;
c) Grumbullimi i gjakut dhe derivateve të tij;
d) Marrja, ruajtja, transporti dhe transplantimi i indeve dhe organeve njerëzore përveç se në raste të autotransplantimit;
e) Mjekësia ligjore;
f) Shërbimet e morgut;
g) Veprimtaritё nga lёmi i shёndetёsisё publike tё pёrcaktuara me aktin nёnligjor nga neni 36 i kёtij Ligji.
Fillimi i punës të institucionit shëndetësor Neni 47
47.1.Institucioni shëndetësor nuk mund të fillojë veprimtarinë e tij derisa organi përgjegjës nga neni 72 i këtij Ligji të nxjerrë vendimin mbi përmbushjen e kushteve për fillimin e punës.
47.2.Vendimin nga paragrafi 47.1 i këtij neni për institucionin shëndetësor të themeluar në nivelin e kujdesit dytësor dhe tretësor shëndetësor e nxjerr Ministria e Shëndetësisë, ndërsa për institucionin shëndetësor të themeluar në nivelin e kujdesit parësor shëndetësor e nxjerr Kuvendi komunal në pajtim me nenin 72 të këtij Ligji.
Neni 48 Dispozitat e Nenit 47.1 të këtij Ligji aplikohen edhe në rastet e ndërrimit të veprimtarisë së institucionit shëndetësor.
Kapitulli VIII UDHËHEQJA DHE MBIKËQYRJA NË INSTITUCIONET SHËNDETËSORE
Neni 49
49.1.Institucionin shëndetësor e udhëheq Drejtori.
49.2.Mënyra e zgjedhjes, e shkarkimit dhe mandati i Drejtorit të institucionit shëndetësor sigurohet në pajtim me rregullativën ligjore për shërbimin civil.
49.3.Institucioni shëndetësor mbikëqyret nga Këshilli mbikëqyrës.
49.4.Mënyra e zgjedhjes, e shkarkimit dhe mandati i Këshillit mbikëqyrës të institucionit shëndetësor sigurohet në pajtim me aktet nënligjore të nxjerra nga Ministria e Shëndetësisë.
Neni 50
50.1.Aktet nënligjore të institucionit shëndetësor janë Statuti ose aktet e tjera të përgjithshme.
50.2.Statuti është Akt i përgjithshëm me të cilin institucioni shëndetësor përcakton organizimin, mënyrën e udhëheqjes dhe të vendosjes, si edhe çështjet e tjera të lidhura me zbatimin e kujdesit shëndetësor, si dhe punët e afarizmit, në pajtim me ligjin.
50.3.Statuti aprovohet nga themeluesi me propozim të institucionit shëndetësor.
Kapitulli IX KUSHTET DHE PROCEDURAT PËR ZBATIMIN E KUJDESIT SHËNDETËSOR
Neni 51
Kujdesi shëndetësor zbatohet në institucionin shëndetësor, në vend të punës, në banesë të banorit dhe në vende të tjera, kudo ku ai ka nevojë për kujdes shëndetësor.
Neni 52
52.1.Kujdesi shëndetësor në institucionin shëndetësor zbatohet sipas kushteve dhe procedurave të caktuara me këtë Ligj, si dhe me aktet e përgjithshme të institucionin shëndetësor.
52.2.Kujdesi shëndetësor në format e tjera të zbatimit, ushtrohet sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara për institucion shëndetësor.
|